Personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë nuk po vlerësohen drejt nga Komisioni Shëndetësor, që është i emëruar nga Ministria e Punës, Financave dhe Transfereve, dhe si rrjedhojë kjo kategori po pëson nga ky vlerësim i padrejtë.

 

Kështu kanë thënë për Radio Kosovën zyrtarë nga HANDIKOS.

Ndërsa organizatat që merren me të drejtat e njeriut thonë se kësaj kategorie po i bëhet padrejtësi dhe ky është një degradim dhe një shkelje e të drejtave të tyre.

Personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë nuk po u vlerësohet drejt statusi i tyre e madje ata i kanë rivlerësuar duke ia ndryshuar statusin nga kategoria e parë në të dytën. Kjo ua ulë atyre pagesën që marrin nga qeveria nga 375 në 150 euro. 

Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, ka thënë se në kohën kur çdo gjë është shtrenjtuar, ndryshimi i këtij kategorizimi është degradim dhe shkelje e të drejtave të tyre. 

'Gjendja e tyre duhet të përmirësohet e jo të bëhet zhvendosje të kategorive, sepse ata kanë nevojë për një person shtesë, edhe ato mjete të cilat i kanë marrë në të kaluarën kanë qenë të pa mjaftueshme. Në këtë situatë që janë tani është një degradim dhe një shkelje e të drejtave të këtyre personave. Prandaj nuk pajtohem me këtë ndryshim por qeveria është ekzekutivi që merr vendime dhe nuk i jep llogari askujt?! Por ne nuk pajtohemi më këtë masë që ka ndërmarrë", tha ai.

Fazile Bungu, nga Organizata “Hendifer” në Ferizaj, i tha Radio Kosovës se kësaj kategorie u bëhet padrejtësi dhe se komisioni duhet të jetë me serioz. 

"Duhet të caktohet një komision me serioz që të bëhet vlerësimi për këtë kategori. Ne e kemi një rast në Ferizaj me distrofi muskulore, që është shumë më i rëndë se paraplegjia dhe tetraplegjia edhe nuk ia kanë dhënë të drejtën për përcjellës as herën e parë as tani. Po ashtu kemi rastin tjetër që është përdorues i pelenave, as nuk flet, as nuk ecë, as në karrocë s’ka aftësi të ulet edhe nuk e ka gëzuar këtë të drejtë. Kështu që ka shumë padrejtësi", tha ajo.

Drejtori i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi, thotë se janë të pakënaqur me punën e Komisionit Shëndetësor (që është i emëruar nga Ministria e Punës,  Financave dhe Transfereve,) që e bënë vlerësimin për këtë kategori, gjë që kanë kërkuar edhe shkarkimin e këtij komisioni. 

"Ky komisioni shëndetësor për vlerësimin e personave nuk është duke e kryer punën si duhet, dhe për këtë arsye ne kemi kërkuar që të shkarkohet se nuk janë duke i vlerësuar personat drejt", tha ai.

Maliqi tuje ka sqaruar se edhe Komisioni Parlamentar u ka dhënë vërejtje dhe janë shprehur të pakënaqur me punën e Komisionit Shëndetësor që nuk po e kryejnë punën e tyre si duhet.

Madje, sipas tij, edhe sekretari që është përgjegjës për këtë komision e ka pranuar publikisht që komisioni nuk po e kryen punën si duhet por që fatkeqësisht, zgjidhje nuk ka dhënë, thotë  Maliqi. /rtk/