Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në Ditën Ndërkombëtare për Parandalimin e të Gjitha Formave të Krimit të Organizuar Transnacional, më 10 nëntor është publikuar Indeksi Global i Krimit të Organizuar 2025, i cili e rendit Kosovën si vendin me nivelin më të ulët të kriminalitetit në Ballkanin Perëndimor.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës theksohet se ky indeks mat përhapjen e krimit të organizuar dhe rezistencën e shteteve ndaj fenomeneve kriminale si trafiku i drogës, trafiku i qenieve njerëzore, krimi kibernetik dhe aftësinë e institucioneve për t’i luftuar ato përmes qeverisjes, zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Sipas rezultateve të vitit 2025, të publikuara nga Global Initiative Against Transnational Organized Crime, Kosova vlerësohet me 4.85 pikë në një shkallë nga 1 deri në 10, duke rezultuar vendi me kriminalitetin më të ulët në rajon. Indeksi mat gjithsej 15 tregje kriminale, pesë kategori aktorësh kriminalë dhe 12 shtylla të qëndrueshmërisë.
Policia e Kosovës vlerësohet si një kontribuues kyç në këtë rezultat, falë strategjive zhvillimore, operacioneve të vazhdueshme dhe objektivave të qarta në luftimin e të gjitha formave të krimit. Institucioni thekson se puna gjithëpërfshirëse ndër vite ka ndikuar që Kosova të jetë më rezistente ndaj aktiviteteve kriminale krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Përveç sigurisë publike, Kosova ka shënuar rezultate pozitive edhe në sigurinë rrugore. Raporti i Transport Community, i publikuar më 12 nëntor 2025 me të dhënat e vitit 2024, tregon se vendi ka numrin më të ulët të viktimave në aksidente fatale për një milion banorë në Ballkanin Perëndimor.
Policia e Kosovës bën të ditur se, përmes planeve operacionale, fushatave sensibilizuese dhe aktiviteteve të vazhdueshme, do të vazhdojë angazhimin për të rritur sigurinë dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale në nivel vendi.