Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Kompania australiane Canva, e njohur për platformat e saj të dizajnit grafik, ka njoftuar një ristrukturim të madh të biznesit, i cili do të prekë 22 për qind të fuqisë punëtore.
Sipas njoftimit të bashkëthemelueses dhe drejtoreshës ekzekutive, Melanie Perkins, gjithsej 1,271 punonjës do të preken nga ndryshimet, përfshirë largimet nga puna, zhvendosjen në zyra të tjera ose ndryshimin e pozitave.
Perkins e ka cilësuar këtë si periudhën më të vështirë në historinë 13-vjeçare të kompanisë, duke pranuar se rritja e biznesit është ngadalësuar për herë të parë pas një dekade.
Ndër faktorët që kanë ndikuar në këtë situatë përmenden ndikimi i inteligjencës artificiale në industrinë e dizajnit dhe kostot e larta për integrimin e kësaj teknologjie në produktet e kompanisë.
Si pjesë e ristrukturimit, Sydney do të bëhet qendra kryesore për më shumë ekipe të zhvillimit të produkteve, ndërsa punonjësit që punojnë në mënyrë hibride do të pritet të paraqiten në zyrë dy deri në tri ditë në javë, duke filluar nga viti i ardhshëm.
Canva u themelua në vitin 2013 nga Melanie Perkins dhe ofron mjete e modele të gatshme për krijimin e dizajneve, prezantimeve dhe materialeve grafike, edhe për përdoruesit pa përvojë profesionale në dizajn.