Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Mbrojtja e një foshnjeje nuk varet vetëm nga vaksinat që merr në muajt e parë të jetës. Mjekët këshillojnë që edhe gjyshërit dhe familjarët e tjerë që do të kenë kontakt të afërt me të porsalindurin të sigurohen se janë të vaksinuar.
Foshnjat janë veçanërisht të ndjeshme ndaj infeksioneve gjatë muajve të parë, pasi sistemi i tyre imunitar ende nuk është zhvilluar plotësisht dhe nuk mund t’i marrin të gjitha vaksinat.
Sipas ekspertëve, personat që do të qëndrojnë pranë foshnjës duhet të jenë të përditësuar me vaksinat rutinë, veçanërisht kundër kollës së mirë, gripit sezonal, COVID-19 dhe fruthit, shytave e rubeolës. Në disa raste, rekomandohet edhe vaksina kundër virusit RSV, varësisht nga mosha dhe gjendja shëndetësore.
Mjekët sugjerojnë që gjyshërit dhe kujdestarët të konsultohen me mjekun para lindjes së foshnjës dhe, kur është e nevojshme, të vaksinohen disa javë para takimit të parë.
Përveç vaksinimit, këshillohet që personat e sëmurë të shmangin kontaktin me foshnjën, t’i lajnë duart para se ta mbajnë në krahë dhe të mos e puthin në fytyrë.
Ekspertët theksojnë se këto masa ndihmojnë në uljen e rrezikut të infeksioneve te foshnjat, të cilat janë më të pambrojtura në javët dhe muajt e parë të jetës.