Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Family Album” çon rrëfimet e mbijetesës te shenjat e fëmijëve të vrarë

Vendi  |  10.02.2023 Ora 10:14   

Është një kontrast i thellë në esencë, por emëruesin e përbashkët e ka luftën. Antagonizmi është jeta dhe vdekja. “Family Album” e Alban Mujës – që tash vjen edhe me nëntitullin “...mes kujtimit dhe realitetit” – çon rrëfimet e mbijetesës të atyre që ishin fëmijë në luftë te eksponatet e fëmijëve të vrarë e të zhdukur. “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, e cila ka gati katër vjet që flet me shenjat e vdekjes, është pa zë. “Family...” jetëson historitë e mbijetesës

Në majin e vitit 2019, bota e artit bashkëkohor në edicionin e atëhershëm të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia do të dëgjonte rrëfimet e atyre që ishin fëmijë në kohën e luftës në Kosovë. Artisti Alban Muja i kishte dërguar atje këto histori nëpërmjet instalacionit që prezantohej me video nën titullin “Family Album”. Përderisa publiku i Bienales që mbahet në qytetin e 121 ishujve kishte dëgjuar, midis të tjerash, edhe rrëfimin e Besa Lutës – e cila kishte shpëtuar nga lufta në duart e së ëmës, Sherifes – në Kosovë tregohej diçka tjetër.

Pikërisht në maj të atij vitit, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë kishte hapur ekspozitën “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”. Aty shpërfaqen eksponate të 1 mijë e 133 fëmijëve të zhdukur e të vrarë në luftë. Prapa secilit eksponat është nga një tregim.

Por prej të mërkurës mbrëma në katin përdhes të bibliotekës së qytetit në Prishtinë “Hivzi Sulejmani” është hapur një tjetër kapitull. Krejt në hyrje janë vendosur rrëfimet e fëmijëve që i kanë shpëtuar luftës. Atyre që rrëfimin e shpalosin në “Family Album” të Alban Mujës. E posa kalohet kjo pjesë, vizitorët hyjnë në “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, ku kryqëzohen fatkeqësitë e fëmijëve të të gjitha komuniteteve në Kosovë.

 

Në njërën anë, te “Family Album”, Besa Luta nga Kaçaniku rrëfen për historinë kur e ëma si refugjate gjatë luftës e kishte bartur duke i dhënë gji, dhe imazhi i tyre kishte bërë xhiro nëpër mediat ndërkombëtare. E në tjetrën pjesë, në ekspozitën e kuruar nga Blerta Hoçia, midis të tjerash, mësohet se si Besim e Haxhi Kelmendi ishin nxënës të shkollës fillore më 1999. I pari në klasë të katërt e vëllai i tij në klasë të gjashtë. Por dy vëllezërit Kelmendi nga fshati Rakovinë i Gjakovës mund të kujtohen vetëm nga një batanije e kaltër me të cilën ishin të mbuluar para se bombat t’ua merrnin jetën.

 

Vetë artisti Alban Muja nuk e ka pasur të lehtë që ta dërgojë veprën e tij në këtë hapësirë.

“Family Album – Mes kujtimit dhe realitetit” i sjell të mbijetuarit e luftës si narratorë.

Qëllimi i tij më 2019 ishte që të përballte publikun e Bienales me një realitet 20 vjet prapa luftës në Kosovë. Të njëjtën vepër e ka prezantuar edhe në Galerinë Kombëtare të Kosovës më 2022 në kuadër të ekspozitës personale “Whatever happens, we will be prepared” (Çfarëdo që ndodh, ne do të jemi të gatshëm). Por të mërkurën mbrëma dimensioni ka qenë tjetër.

“Këtu është një kontekst krejt tjetër që në njëfarë mënyre e sjell dhe tregon një ndërhyrje me atë (ekspozitën v.j.) ekzistuese, ku në hapësirën ekspozuese apo ekspozitën mbrapa tri videove të ‘Family Album’ i shohim objektet e fëmijëve të luftës që janë sjellë si subjekte. Ndërkaq storiet e ‘Family Album’ i sjellim si narracion”, ka thënë Muja.

Sipas tij, ideja ka qenë të jetë një kombinim midis asaj që ka ekzistuar dhe në të njëjtën kohë të shpalosen rrëfimet e fëmijëve që i kanë mbijetuar luftës e tash janë të rritur.

“Është një paralele mes asaj dhe neve. Kur jemi ftuar prej Qendrës së Dokumentimit (të FDH-së, v.j.) s’kam pasur asnjë hezitim, pasi që besoj që komunikojnë shumë mirë mes vete, edhe pse janë ngjarje të së njëjtës kohë. Por këta kanë pasur fatin dhe kanë mbijetuar”, ka thënë Muja, i cili në fund të këtij muaji do të hapë ekspozitë në Berlin.

Ky kombinim i rrëfimeve është bërë në prag të 15-vjetorit të Pavarësisë. Sipas artistit konceptual, jo vetëm të huajt por edhe rinia e Kosovës që nuk e ka përjetuar luftën duhet ta shohë realitetin që ka ndodhur në vitet 1998 dhe 1999.

Image
“Family Album – Mes kujtimit dhe realitetit” i sjell të mbijetuarit e luftës si narratorë

“Këtu e shohim një realitet prej dy drejtimeve: atyre që kanë mbijetuar dhe që tregojnë storien, edhe pse shumica e këtyre storieve janë të treguara e të krijuara prej informatave që i kanë marrë prej njerëzve përreth tyre dhe kemi realitetin krejt tjetër që besoj duhet ndarë me të gjithë dhe sidomos në këtë kohë kur po jetojmë tash, pasi po i shohim ato që po ndodhin në luftën në Ukrainë”, ka thënë Muja, i cili pas vernisazhit të ekspozitës ka mbajtur një bashkëbisedim me Vesa Qenën, e cila është pjesë e stafit të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Engjëll Berisha ka qenë koordinator i Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecias më 2019. Ai ka thënë se asokohe kishin bërë punë të madhe sa i përket krejt realizimit të prezantimit të shtetit më të ri në Evropë. Ka thënë se kur i sheh këto punime mendon se si veprat e artit ndonjëherë zhyten më thellë dhe hapin diskutim për gjërat që i rrethojnë njerëzit në përditshmëri. Sipas tij, krejt storiet veprën e Mujës e “bëjnë shumë unike”.

Videoinstalacioni i Mujës bazohet në tri fotografi rrëqethëse, të realizuara para dy dekadash, por që në memorien kolektive vazhdojnë të jetojnë. Sherife Luta me vajzën e saj u shndërruan në simbol të luftës e sakrificës. Jo më pak e njohur është fotografia e babait të përlotur që mban në dorë fotografitë e dy fëmijëve të tij, për të cilët nuk e di se a janë gjallë, dhe ajo e djaloshit mes telave të hekurt, të cilin e bartin familjarët nga njëra anë në tjetrën.

Me mbi 500 fotografi kujtohen edhe fëmijët e vrarë ose të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Për një pjesë të madhe familjet nuk kanë as fotografi. Kanë mbetur vetëm si imazhe të regjistruara në memorien e prindërve.

Por pos rrëfimit të të mbijetuarve që shpalos Muja, ekspozita unike “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë” shpalos historinë e një tjetër fëmije të mbijetuar. Gramoz Berisha në marsin e vitit 1999 nuk do ta kishte fatin e familjes së tij. Forcat serbe kishin zhvendosur familjen Berisha nga Suhareka në një piceri afër shtëpive të tyre dhe kishin masakruar 49 veta. Prej tyre 18 ishin fëmijë. Por Gramoz, Shyhrete e Vjollca Berisha kishin mbetur të gjallë. Ishin ngarkuar në kamion së bashku me kufomat dhe rrugës për në Prizren kishin kërcyer nga ky mjet transporti duke shpëtuar. Krejt ky rrëfim shpaloset në ekspozitë bashkë me detajet se si edhe një tjetër fëmijë ishte i gjallë, por kishte hezituar të kërcente nga kamioni pasi nuk donte ta linte të ëmën e vdekur vetëm.

E gjithë ajo që tash paraqitet në këtë hapësirë është një mozaik i trishtë pasojash të luftës. Zbërthehet edhe nëpërmjet artit.

“Unë besoj që ne të gjithë që kemi përjetuar dhe që krijojmë art apo edhe punojmë në fusha të tjera, duhet ta tregojmë realitetin e jo urrejtje, dhe sikur shumë projekte të tjera sidomos ky projekt tregon një realitet edhe pse është 20 vjet distancë prej asaj që ka ndodhur”, ka thënë artisti Alban Muja. Në një formë ka bërë thirrje që ekspozita “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë” dhe “Family Album” të përfundojnë në një hapësirë ku përhershëm do të mund të vizitohen prej atyre të cilët nuk e kanë përjetuar luftën. Dy projektet janë të kundërta si rrëfime, tregojnë mbijetesën dhe mohimin e të drejtës për të jetuar. Por mbi të gjitha, tregojnë për tmerrin që ka ndodhur në Kosovën e vitit 1998 dhe 1999. /koha.net/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing