Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

BBC-ja e rendit në fund të tabelës këngën e Shqipërisë në “Eurovision”

Kulturë  |  07.04.2023 Ora 10:40   

“Vargjet e pasionuara të Albinës ndërtohen në një kor tërheqës, teksa në sfond dëgjohen zërat e familjes së saj – por në përgjithësi është mjaft e rëndë. Parashikimi: Në fund të tabelës”, shkruan kritiku i muzikës në BBC, Mark Savage, për këngën “Duje” të Albinës me familjen Kelmendi, që sivjet e përfaqëson Shqipërinë në garën evropiane të këngës

"Në fund të tabelës”, është parashikimi që kritiku i muzikës në BBC, Mark Savage, ia ka bërë këngës “Duje” të Albina Kelmendit, përfaqësuese e Shqipërisë në garën evropiane të këngës “Eurovision”. Sipas tij, fituesi pritet të dalë prej njërit nga tri shtetet: Franca, Spanja ose Suedia.

Ka mbetur gati një muaj nga finalja e madhe e “Eurovisionit” e cila do të mbahet më 13 maj në qytetin e Liverpolit në Britani të Madhe. Në edicionin e sivjetmë, të 67-tin, do të marrin pjesë 37 shtete, përfshirë edhe Izraelin dhe Azerbajxhanin. Për korrespondentin e prestigjiozes britanike, gjasat e Shqipërisë për të fituar këtë garë janë të pakta. Savage ka bërë një vlerësim për secilën nga këngët garuese.

“Një ish-finaliste e ‘The Voice’, ajo do të interpretojë këngën ‘Duje’, një baladë dramatike për ndarjen bashkëshortore dhe ndikimin që ajo ka te fëmijët. Performanca zakonisht përfundon me Albinën që u rrëzua në gjunjë e përlotur. Vargjet e pasionuara të Albinës ndërtohen në një kor tërheqës, teksa në sfond dëgjohen zërat e familjes së saj – por në përgjithësi është mjaft e rëndë. Parashikimi: Në fund të tabelës”, shkruan BBC-ja.

 

Te treshja potenciale ka renditur Francën me “Evidemment” të La Zarraa, Suedinë me “Tatoo” të Loreen, e cila në vitin 2012 kishte arritur ta fitonte këtë garë me këngën “Euphoria” ose Spanjën me “EAEA” të Blanca Palomas. Por në top-pesëshe, sipas reporterit Savage, do të hyjnë shtetet si: Sllovenia me “Carpe Diem” të rock grupit “Joker Out”, Norvegjia me “Queen Of Kings” të Alessandras, Finlanda me “Cha Cha Cha” të Käärijäs dhe Austria me “Who The Hell Is Edgar?” të dyshes Teya & Salena. Ndërkaq në finale, sipas tij, duhet të hyjë edhe Kroacia me “Mama SC!” të rock-grupit “Let 3”.

 

Me jo pak polemika qe shoqëruar triumfi i Albinës me familjen e saj Kelmendi në edicionin e 61-të të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, dhjetorin e kaluar. Kishte qenë hera e parë në historinë e Festivalit që vendimin s’e mori juria profesionale, por publiku. Ndërkaq Genc Salihu, Alma Bektashi, Zhani Ciko, Rita Petro, Elton Deda dhanë verdiktin e tyre për tri çmimet e para të festivalit. Elsa Lila me këngën e dedikuar vajzës së saj “Evita” arriti që të marrë çmimin e parë. “Duje” arriti të marrë çmimin e dytë të jurisë. Ndërkaq çmimi i tretë iu dha grupit “2 Farm” me këngën “Atomike”. Prej profesionistëve të muzikës, “Duje” qe përshkruar si këngë me përmbajtje folkloristike, veçmas nga tradita muzikore e Kosovës. “Shija e publikut që e votoi këtë këngë mund të mos përkojë me shijen e votuesve të ‘Eurovisionit’, kështu që mbetet të shihet si do të kalojë”, kishte thënë profesoresha universitare Besa Luzha. Sipas saj, kënga s’del jashtë normave të përfaqësimit të shteteve të ndryshme në “Eurovision”. Kishte përmendur Greqinë, Ukrainën, Turqinë e Izraelin si disa prej shteteve që përfaqësohen me këngë të folklorit. Ndërkaq për mesazhin e “Duje” kishte thënë se ndërlidhet me ruajtjen e dashurisë e familjes. “Një palë e gjykon këtë mesazh si diçka tradicionale, patriarkale që po nxit gruan të pajtohet me fatin e saj dhe të sakrifikojë për të ruajtur familjen. Ky mesazh është i kundërt me atë që grupi tjetër promovon: kundërshtimi i pranimit të nënshtrimit për hir të familjes”, kishte thënë Luzha.

Shqipëria në “Eurovision” debutoi më 2004 me Anjeza Shahinin. Albina Kelmendi është këngëtarja e tretë nga Kosova që përfaqëson Shqipërinë në “Eurovision” pas Linda Halimit me “World” në vitin 2017, që nuk arriti në finale dhe Rona Nishliut me “Suus” në vitin 2012, e cila me vendin e pestë mbetet rangimi më i lartë i Shqipërisë në “Eurovision”.
Fituese e edicionit të kaluar të Garës Evropiane të Këngës qe Ukraina me “Stefania” nga “Kalush Orchestra”. Për shkak të gjendjes së luftës në Ukrainë, “Eurovision 2023” do të organizohet nga Britania e Madhe, e cila vitin e kaluar mbeti në vend të dytë me “Space Man” të Sam Ryder.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing