Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Stigmatizimi, sfidë për komunitetin LGBTIQ+

Vendi  |  10.07.2023 Ora 10:40   
“Arsyet pse e kemi marrë për temë kryesore shëndetin mendor janë disa, por njëra është se vitin e kaluar ka pasur shumë raste të vetëvrasjes krahasuar me vitet paraprake, që ka qenë rritje sinjifikante për vit të personave LGBT, të cilat ne nuk mund t’i dimë, por janë kryesisht të lidhura me mospranimin qoftë nga familja, nga shoqëria, nga institucionet, nga shkolla”, ka theksuar Arbër Nuhiu, drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore

(KD) – Anëtarët e komunitetit LGBTIQ+ në ditët e para të “Javës së krenarisë” në fillim të qershorit nuk ishin të sigurt se kryeministri Albin Kurti do të merrte pjesë në Paradën e 10 qershorit.

Privatisht, këtë shqetësim e shprehnin për shkak të pikëpamjeve konservatore të një pjese të deputetëve të Vetëvendosjes dhe të një hiseje të mbështetësve të tij, të cilët kundërshtojnë liritë e të drejtat liberale që garantohen edhe me Kushtetutë.

Megjithatë, këto liri dhe të drejta tashmë janë pjesë e padiskutueshme e legjislacionit të shteteve anëtare të BE-së, por që janë kthyer në pjesë të rëndësishme të kushtetutave dhe ligjeve të vendeve që aspirojnë anëtarësimin, sikurse edhe Kosova.

“T’du qashtu qysh je!”

E kryeministri Kurti dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ishin në ballë të “Paradës së krenarisë”, duke mbajtur në duar sloganin “T’du qashtu qysh je!”, që ka thelbësuar krejt gamën e aktiviteteve të sivjetme. Në paradë Kurti ka thënë se ua kishte dhënë fjalën aktivistëve gjashtë ditë para Paradës se do të merrte pjesë në “Marshin e krenarisë”.

“Sepse besoj në të drejtat e njeriut. Besoj se duhet të jemi të gjithë të barabartë dhe secili duhet të ketë të garantuar dhe të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin”, ka thënë ai, duke shtuar se shteti duhet t’i mbrojë anëtarët e komunitetit LGBTIQA+, derisa “shoqëritë duhet të mësojnë për ta”.

Anëtarët e këtij komuniteti thonë se mbështetja nga politikanët është shumë e rëndësishme për ndryshimin e pikëpamjeve të atyre që nuk i njohin të drejtat e këtij komuniteti.

Blert Morina, nga organizata CEL, ka thënë se përherë e më shumë po përqafohet diversiteti në Kosovë.

“Më shumë se kurrë personat LGBTI janë duke dalë haptas dhe janë duke iu bashkëngjitur paradës dhe definitivisht më shumë se kurrë jemi duke pasur aleatë lidhur me të drejtat e personave LGBTI”, ka theksuar ai gjatë marshit.

Por, drejtuesit e organizatave të tjera joqeveritare, si Arbër Nuhiu, drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, thonë se shumë anëtarë të tyre po përballen me presion psikologjik në jetën e tyre të përditshme për shkak të orientimit seksual. Një presion i tillë u vjen prej rrethit dhe shoqërisë. Prandaj, sivjet aktivitetet u përqendruan te shëndeti mendor.

“Arsyet pse e kemi marrë për temë kryesore shëndetin mendor janë disa, por njëra është se vitin e kaluar ka pasur shumë raste të vetëvrasjes krahasuar me vitet paraprake, që ka qenë rritje sinjifikante për vit të personave LGBT, të cilat ne nuk mund t’i dimë, por janë kryesisht të lidhura me mospranimin qoftë nga familja, nga shoqëria, nga institucionet, nga shkolla”, ka theksuar ai.

Nuhiu ka thënë se duhet të ketë fushata të fuqishme për sensibilizimin e qytetarëve që paragjykojnë të tjerët vetëm për shkak të orientimit seksual.

Image
Kryeministri Kurti dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ishin në ballë të “Marshit...”, duke mbajtur në duar sloganin “T’du qashtu qysh je!”, që ka thelbësuar krejt gamën e aktiviteteve të sivjetme

Shqetësimet kryesore

Organizata e tij dhe të tjerat po kërkojnë që me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Shëndetësi duhet të merren seriozisht shqetësimet e organizatave dhe ekspertëve që merren përditë me sfidat e komunitetit. Nuhiu ka thënë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka treguar gatishmëri për t’i marrë parasysh kërkesat specifike të organizatave që përfaqësojnë këtë komunitet.

Shqetësime të ngjashme janë ngritur edhe në emisionin “Tempus” në KTV, ku është diskutuar për konceptin e miratuar nga Qeveria në dhjetor. Në debatin me përfaqësues të pozitës, opozitës, ekspertëve të fushës, por ku përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë nuk u paraqit pavarësisht konfirmimit paraprak, Bind Skeja nga organizata “Linja e jetës” ka ngritur dy shqetësimet kryesore që i sheh si mangësi në propozim-ndryshimet e reja ligjore.

“Nën një është problemi i shërbimeve, sa ka shërbime dhe sa u ofrohen ato shërbime qytetarëve, dhe nën dy është ky problemi i legjislacionit”, ka thënë ai, duke treguar se ekspertë të ndryshëm të fushave të mjekësisë kanë rekomanduar që në ndryshime të futet identifikimi dhe trajtimi i problemeve të hershme të shëndetit mendor, apo se nuk parasheh trajtimin në komunitet, sikurse janë anëtarët e grupeve me orientime të ndryshme seksuale, që përballen me paragjykime e stigmatizime.

Deputeti opozitar, Shemsedin Dreshaj, mendon se duhet të ketë ligj krejtësisht të ri me qasje gjithëpërfshirëse. Ka thënë se nuk mund të shkohet me aprovim të ligjeve sektoriale pa pasur ligj shëndetësor me bazë gjithëpërfshirëse.

Në konferencën e titulluar “Nga kriza në veprim”, mbajtur gjatë “Javës së krenarisë”, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte thënë se mosvotimi i kodit në Kuvend është një nga vendimet më ta gabuara të deputetëve. Megjithatë, sipas saj, nuk do të ketë kthim mbrapa për këtë çështje.

“Ju njoftoj se Ministria e Drejtësisë tashmë ka themeluar grupin punues për hartimin e koncept-dokumentit për bashkësitë civile të regjistruara. Kjo po bëhet për herë të parë në Republikën e Kosovës, pra për herë të parë ka një qeveri që është duke punuar në këtë koncept-dokument”, është zotuar ajo. “Kodi Civil sërish do të dërgohet në Kuvend, nuk ka kthim mbrapa. Të drejtat e komuniteti LGBT janë të drejta të njeriut dhe edhe deputetët duhet ta mbështesin, duhet të punojnë për to dhe duhet të shërbejnë që ta emancipojnë shoqërinë tonë”.

E Nazlie Balaj nga Ministria e Drejtësisë ka theksuar se që nga viti 2018 është punuar në Kodin Civil, porse në këto drafte nuk është adresuar çështja e bashkësive civile.

Image
Anëtarët e komunitetit thonë se sfida më e madhe do të vazhdojë të mbetet shëndeti mendor në një shoqëri ku ata po paragjykohen

“Të drejtat e njeriut nuk janë as të negociueshme”

Kryetari i Prishtinës thotë se qytetarët e Kosovës duhet t’i gëzojnë të drejtat e barabarta pavarësisht pikëpamjeve e orientimeve.

“Të drejtat e njeriut nuk janë as të negociueshme”, ka thënë Rama. “Pra, është detyra jonë si shoqëri që ato të mbrohen, të pasqyrohen në ligjet tona e të zbatohen në praktikë”.

Miratimi i projektkodit pati dështuar në marsin e vitit të kaluar, shkaku i kundërshtimeve rreth nenit që rregullon bashkësinë civile mes personave të gjinisë së njëjtë. Në planin legjislativ Qeveria e kishte në plan për gjysmën e parë të vitit. Opozita po e akuzon për dështim.

“Ne jemi të bindur dhe të vendosur që të vazhdojmë ta mbrojmë të drejtën tonë dhe kemi për ta dërguar Kodin Civil për pyetje në Gjykatën Kushtetuese nëse nuk rregullohet martesa ashtu siç është e paraparë me Kushtetutë”, ka paralajmëruar Nuhiu.

Kryeministri është i bindur se ndryshimet në Kod do të kalojnë në Kuvend, ku partia e tij ka shumicën, por nuk po e mbështet unanimisht ndryshimin.

Por, anëtarët e komunitetit thonë se sfidë më e madhe do të vazhdojë të mbetet shëndeti mendor në një shoqëri ku ata po paragjykohen për shkak të orientimit seksual.

Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Human Rightivism”, që implementohet nga “Integra” dhe mbështetet nga Fondi për Zhvillim Komunitar - CDF dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë.”/koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing