Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Shkolla verore për fëmijët e diasporës – mendësi për të menduar shqip

Vendi  |  12.07.2023 Ora 10:26   

Me synim integrimin dhe lidhjen më të thellë të fëmijëve dhe të rinjve të diasporës së Kosovës me vendin e tyre të origjinës, organizata ETEA, në bashkëpunim me Shoqatën e Filozofëve të Kosovës dhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, do të organizojë shkollën verore “P4C – Filozofia për Fëmijë”. Në fokus të saj janë tema që lidhen me trashëgiminë kulturore, identitetin, artin shqiptar, gjuhën shqipe e të tjera. Nga kjo pritet të përfitojnë gjithsej 30 nxënës.

“Bashkohu në shkollën verore ‘P4C – Filozofia për Fëmijë’ për me mendu – mbi të gjitha, me mendu shqip”, është thirrja e prerë që u adresohet fëmijëve të diasporës. Ata që do të jenë në Kosovë gjatë pushimeve verore kanë një mundësi unike nëpërmjet shkollës verore. Organizata ETEA ka hapur aplikimet për programin “P4C – Filozofia për Fëmijë”, e cila organizohet në përputhje me nevojat specifike të fëmijëve të diasporës. Synimi kryesor i saj është krijimi i lidhjeve më të ngushta me vendin amë dhe njohja e kulturës së vendit prej nga vijnë.

“Programi ‘P4C – Filozofia për Fëmijë’ zbatohet prej dy vjetësh nga ETEA dhe Shoqata e Filozofëve të Kosovës dhe do të përshtatet me nevojat specifike të të rinjve nga diaspora në Kosovë. Programi ka një qasje unike që përdor kërkimin filozofik për të angazhuar fëmijët dhe të rinjtë në diskutim dhe reflektim, duke i ndihmuar ata/o të zhvillojnë të menduarit kritik, arsyetimin dhe aftësitë e komunikimit në gjuhën shqipe. Gjatë gjithë kohës programi do të kultivojë identitetin e tyre kombëtar, gjuhësor, kulturor dhe arsimor përmes këndvështrimeve, diskutimeve dhe debateve filozofike”, shkruhet në njoftimin e ETEA-s.

Duke pasur parasysh edhe përvojat e kaluara, mentori i programit “Filozofia për Fëmijë”, Taulant Gashi, ka thënë se interesimi i diasporës për t’u bërë pjesë e kësaj shkolle është i madh. Teksa ka folur për mënyrën e organizimit të ligjëratave, studiuesi i filozofisë ka përmendur përdorimin e formave moderne të cilat nxisin interesimin e tyre.

“’Filozofia për Fëmijë’ është një program që ETEA dhe SHFK e implementojnë tash e dy vjet dhe si program ka gjetur pëlqim të madh si te fëmijët ashtu edhe te prindërit, duke pasur parasysh se është një formë mësimi që nxitet kryesisht nga kurioziteti i fëmijëve dhe aftësitë e tyre për të shtruar pyetje për probleme të ndryshme, duke shmangur ligjërimin klasik si metodë bashkëpunimi me fëmijët. Fëmijët e diasporës kanë interesim të mësojnë në gjuhën shqipe dhe për kulturën shqiptare dhe njëkohësisht të shoqërohen me fëmijë të tjerë me origjinë kosovare”, ka thënë ai.

Gashi, i cili së bashku me anëtarin e Kryesisë së Shoqatës së Filozofëve të Kosovës, Nehat Sadiku, do të mentorojnë grupet, ka vlerësuar lart organizimin e një shkolle të tillë. Kjo, sipas tij, ndërton ura ndërlidhëse më të forta midis diasporës dhe vendit prej nga vijnë.

“Konsideroj se pjesëmarrja në sesionet e P4C me tematikë në trashëgiminë kulturore është shumë e rëndësishme për fëmijët e diasporës kosovare, për shkak se i ndihmon ata të krijojnë ose përforcojnë lidhjen me origjinën e tyre, por edhe qartëson ndjenjën e tyre të identitetit. Po ashtu, një program i tillë i kontribuon ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës, pikërisht duke i angazhuar fëmijët në diskutime rreth traditave, gjuhës, artit, historisë etj. Një përforcim i fëmijëve të diasporës në këto pika, konsiderojmë se shërben si ndihmë për ndërtimin e urave lidhëse mes tyre dhe bashkëmoshatarëve të tyre në Kosovë”, ka thënë ai. Përveç anës teorike, fëmijët do të jenë të angazhuar edhe në aktivitete të tjera, si lojëra, vizatim e të tjera.

Programi përfshin organizimin e dy shkollave. Derisa pjesa e parë ku pritet të marrin pjesë fëmijët e grupmoshave më të vogla do të organizohet në Prishtinë dhe do të ketë qëndrim ditor, ajo e grupmoshave më të mëdha do të udhëtojë për në Prevallë, ku për pesë ditë do të qëndrojë në një hotel.

“ETEA dhe SHFK planifikojnë dy shkolla verore: njëra në muajin korrik, e cila është për grupmoshën 10-14 vjeç dhe zhvillohet në ambientet e ‘Qendra LIBART’. Kjo shkollë zgjat për pesë ditë (4 orë për ditë). Shkolla e dytë verore zhvillohet gjatë muajit gusht, në Prevallë, ku përfituesit e programit do të kenë gjithçka të siguruar (akomodim, fjetje, ushqim, transport). Edhe kjo shkollë zgjat pesë ditë”, ka bërë të ditur Gashi.

Në fund të programit të gjithë pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata, të cilat do t’iu ndahen gjatë ceremonisë përmbyllëse të programit./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing