Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Anibari” përtej animacionit me ngjyrat e dashurisë

Kulturë  |  18.07.2023 Ora 11:00   

Si eksplorim i fuqive transformuese të lidhjeve njerëzore, ishte paralajmëruar edicioni i sivjetmë i festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar, “Anibar”. E ka dëshmuar këtë qysh në hapje, të hënën mbrëma në Pejë, jo vetëm me ngjyrat e animacionit, por të dashurisë pa kufij. Thërret për të mos pasur frikë, sepse nuk është mbretëri klishesh dhe hedh dritë në kompleksitetin e dashurisë duke zbuluar manifestimet e saj të shumta. Edicioni i 14-të e ka ndezur ekranin në “Kino Liqeni” dhe janë gati 140 filma që shpalosin botën e pafundme. Mbi të gjitha të animacionit.

Peja është prej qyteteve që artit i ka dhënë ngjyra kaherë. Por, tash e 14 vjet e ka rritur dozën nëpërmjet një festivali që nuk është pikë qendrore vetëm për vendin, por për krejt këtë pjesë të kontinentit. Veç një vit më i ri se shteti që ka shpallur Pavarësinë para 15 vjetësh, “Anibar” ka tejkaluar kufijtë gjithandej botës. Por, kjo është punë që dihet.

Të hënën, kur është ndezur ekrani i “Kino Liqenit”, mysafirëve të shumtë në hapje u është bërë e ditur se për një javë prej qytetit perëndimor të Kosovës do të bëhen shumë thirrje e do të jepen shumë mesazhe. Por, qendrori është ai për dashuri. “Love|Dashni” është tema e sivjetme e festivalit.

Prej posterit zyrtar bashkë me spotin promovues të këtij edicioni është shpjeguar se sivjet do të jetë në fokus komuniteti LGBTIQ+. Ka qenë “Drag Queen” Adelina Rose që ka bërë hapjen e mbrëmjes. Ajo është duartrokitur gjatë prej skajit perëndimor të liqenit artificial deri në qendër kur edhe e ka shpallur të hapur këtë edicion.

Ka prekur pak edhe eksperiencat personale duke treguar se vjen nga Peja dhe se atypari, prapa hapësirës ku ka qëndruar publiku, edhe ka pasur dashuriçkat e para. Me një fustan të përgatitur nga e ëma, ajo ka promovuar komunitetin bashkë me Festivalin e Animacionit.

“Le të shërbejë ky edicion dhe filmat e animuar si hapësirë e thirrje për të kaluar pengesat e për ta dashur njëri-tjetrin më shumë”, ka thënë Rose. Është duartrokitur shpesh nga publiku. Sidomos nga anëtarët e komunitetit që i takon.

“Anibari” sivjet synon ta rikujtojë se dashuria nuk njeh kufij dhe këtë e kishte paralajmëruar qyshse shpalosi temën dhe u pa si një kontrapunkt.

“Në një botë të konsumuar shpesh nga kaosi dhe përçarja, ne tentojmë t’ia rikujtojmë vetes dhe çdokujt që dashuria nuk njeh kufij dhe si e tillë nuk mund të definohet! Por, mos kini frikë, kjo nuk është një mbretëri klishesh apo ëmbëlsie sakarine. Ne gërmojmë në dimensionet e shumta të dashurisë duke hedhur dritë në kompleksitetin e saj dhe duke zbuluar manifestimet e saj të ndryshme”, ishte paralajmëruar ky edicion. Programi artistik i shtatë ditëve ishte cilësuar si zhytje në “një kaleidoskop të çudirave të animuara”. “Përmes kësaj teme ne do të eksplorojmë fuqinë transformuese të lidhjeve njerëzore”, shkruhej në paralajmërim. Sapo u bënë të ditur tema dhe mesazhi, nëpër rrjete sociale ka pasur edhe thirrje për bojkotim kryesisht nga grupe konservative.

Por ajo që sjell “Anibar” vërehet jo veç në katër hapësirat ku shfaqen filmat e animuar në 9 kategori, 7 prej tyre garuese. Në qendër të qytetit si zakonisht qëndron shtandi ku ofrohen suvenirët e brendimit të sivjetmë bashkë me informatat për vizitorët.

Prej të hënës e deri në fund të javës Peja frymon ndryshe. Ngacmon kreativitetin tek të rinjtë sa i përket botës së animacionit dhe përçon mesazhe. Arti e kompleksiteti përmbajtjesor i temës së sivjetme ecin paralelisht.

“All Those Sensations in my Belly”, nën regji të Marko Djeshkas, ka ndezur ekranin e “Kino Liqenit”. Produksioni kroat në 13 minuta shpërfaq rrëfimin e Matias. Bëhet fjalë për një djalë që e ndien veten vajzë. E kjo për shoqërinë ku jeton nuk është gjë e vogël. Madje është hall i madh. Rrëfim i tij nis prej shkollës ku mësimdhënësit e pyesin se “përse vishet si peder”, duke përdorur një prej shprehjeve më pezhorative për komunitetin LGBTIQ+. Por Matia nuk heq dorë. Me thjeshtësi maksimale, por nëpërmjet një marrëdhënieje komplekse të personazhit me veten dhe botën që e rrethon, ekipi i filmit të animuar zhvesh telashet e komunitetit. Matia e ka të vështirë të gjejë një partner. E në fund zgjedh veç të rrethohet me njerëz të mirë e të vazhdojë jetën. Shkon deri në pikën ku thotë se vajzat ose bëhen prostituta, ose kanë padronë të pasur. Këtë me gjasë e bën edhe nga mllefi.

Kurse filmi i dytë, produksion izraelito-francez, i është kthyer një historie të shekullit të kaluar. Pikërisht të vitit 1942. “Maurice’s Bar” gjendet në Paris dhe atë e mbante një pronar misterioz, izraelito-algjerian. Sipas filmit, qe vendi i parë ku një “Drag Queen” mund të performonte. Në 14 minuta, në një tren që nuk mbërrin askund, një ish-anëtare e komunitetit i kthehet kujtesës duke folur për folenë e saj të dikurshme në një prej qyteteve më të njohura në botë.

E bota do të jetë e pranishme çdo ditë në “Anibar”. Janë 138 filma nga afro 40 vende të globit që do të shfaqen në tri ekrane kinemash e po ashtu edhe në platformën VR. Në program janë edhe panele diskutimi, masterklasa, punëtori, mbrëmje muzikore e të tjera, tri programe speciale si dhe gara e “Pitchi”-it . E, interesimi për t’u bërë pjesë e këtij festivali ka qenë jashtëzakonisht i madh. Në adresë të festivalit qenë nisur hiç më pak se 1 mijë e 509 filma.

Drejtoresha e Festivalit, Arba Hatashi, ka thënë se krejt edicioni është reflektim i një pune të madhe që shtrihet në 12 muaj. Ka treguar se punëtoritë kanë filluar qysh të hënën paradite.

“Pas disa vjetëve që kanë qenë shumë të rënda për të gjithë ne nga pandemia, këtë vit kemi zgjedhur që të marrim temën e dashnisë si diçka më pozitivja dhe ndjenja më e mira që e përjetojmë si njerëz. Shpresojmë që ky edicion i Festivalit të shërbejë për t’u ndalur e për t’i vlerësuar krejt këto të mira”, ka thënë ajo.

Ka treguar se në këtë edicion prezantimet e punëtoritë do të jenë të shumta. Ka përmendur netët me muzikë e sidomos zhvillimin e industrisë së animacionit.

“Jemi të lumtur që sivjet në dy kategori kemi edhe filma të animuar nga Kosova”, ka thënë ajo. Te kategoria e “Animacioneve muzikore” janë tre filma nga Kosova. Bëhet fjalë për “Ninulla F” të Flaka Kokollit, “Këtu – Different Dreams” me regji të Kokollit dhe Nora Jusufit, si dhe “T’huj” nga Lorna Cekixhi dhe Joan Kamberaj. Në kategorinë e të rinjve është “Rrënjët” i Finesa Pejës.

Por, interesimi i të rinjve për animacion vërehet edhe nga audienca në festival. Këtë e ka përmendur edhe drejtoresha Atashi. Ka thënë se këtë vit prezantimet janë ndër të më rëndësishmet sa i përket shkëmbimit të përvojave dhe krijimet të lidhjeve midis animatorëve të rinj dhe atyre me nam botëror.

Sivjet me ligjëratë do të jetë i pranishëm Eric “Butters” Stough, drejtor i animacionit të një prej serialeve të animuara më të njohura në botë, “South Park”.

“’Anibar’ e pret si ngjarje të veçantë ligjëratën e tij që do të mbahet të shtunën. ’South Park” ka marrë vlerësime pozitive nga kritikët dhe është përfshirë në listat e botimeve të ndryshme të shfaqjeve më të mëdha televizive. Ka fituar çmime të shumta duke përfshirë pesë sosh ‘Primetime Emmy’ dhe një çmim ‘Peabody’. Në vitin 1999 u realizua edhe filmi ‘South Park: Bigger, Longer & Uncut’, i cili pati shumë sukses, duke fituar një nominim për çmimin ‘Oscar’. Në vitin 2013, TV Guide e renditi ‘South Park’ si serialin e dhjetë më të mirë televiziv të të gjitha kohërave”, është paraqitja që i ka bërë festivali këtij mysafiri. Ai do të flasë në një “prezantim fantastik rreth fakteve më interesante dhe punës së tij në ‘South Park”. Prezantimi është i hapur dhe organizatorët e kanë ftuar publikun për të mësuar gjithçka rreth “South Park” dhe për ta takuar njërin prej animatorëve më të suksesshëm në botë.

“Anibar” shkon përtej një festivali. Është një frymë. Në hapje ka bërë bashkë politikanë, diplomatë, artistë e qytetarë tjerë të shumtë. Midis lokacioneve të tjera, Parkut Qendror të Pejës nuk i ofron veç gjallëri, por e shndërron atë në një prej lokacioneve më vibrante në qytete.

Muzika është pjesë e “menysë”. Mbrëmjet me këngëtarë e DJ janë ato që e mbyllin çdo ditë të festivalit. Me vullnetarët që janë gjithandej e pjesën tjetër të stafit organizativ, “Anibar” është shembull se si mund të organizohet diçka në një qytet që nuk e ka namim e disa prej qendrave urbane të tjera në Kosovë. E krejt kjo nuk bëhet pa dashurinë për artin e qytetin. Bash sikurse edhe tema e sivjetme./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing