Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Temperaturat e larta ngrenë alarmin për mungesë të ujit të pijshëm

Vendi  |  20.07.2023 Ora 10:32   

Temperaturat e larta që po shënojnë këto ditë në Kosovë kanë alarmuar autoritetet dhe kompanitë regjionale të ujësjellësit. Teksa në Prishtinë situata paraqitet stabile falë mbushjes së liqeneve Batllavë e Badovc, në rajonet e tjera kanë nisur reduktimet si dhe paralajmërimet për gjoba për keqpërdoruesit.

Paralajmërimet për krizë serioze të mungesës së ujit në Evropë kanë ngritur alarmin edhe tek autoritetet në Kosovë, që kanë apeluar për kursim të ujit të pijshëm.

Kërkesa për shfrytëzim racional të ujit është bërë pas rritjes së temperaturave që kanë ndikuar në rënie të nivelit të ujit në dy liqenet, Badovc dhe Batllavë, por edhe në burimet e tjera.

Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka thënë se falë reshjeve të fundit është siguruar furnizimi me ujë të pijshëm deri në fund të vitit, porse temperaturat mund ta ndryshojnë këtë gjendje.

“Është një rënie e lehtë, por tashmë dihet se do të kemi temperatura të larta deri në fund të muajit gusht, andaj sidomos në korrik dhe gusht duhet ta shfrytëzojmë sa më racionalisht, në mënyrë që duke filluar nga muaji shtator të kemi një furnizim më të mirë me ujë të pijshëm deri në fund të këtij viti”, ka thënë zëdhënësja Mjeku. “Po ashtu edhe t’i ruajmë rezervat, pasi çdoherë e bëjmë një krahasim me vitin 2013-2014, kur nivelet ishin minus 14 nën kuotën maksimale të kapërderdhjes dhe rezervat në atë kohë ishin vetëm edhe për një muaj”.

Situatë e njëjtë nuk është në regjionet e tjera, të cilat në mungesë të ujit tashmë kanë filluar me reduktime.

KRU “Hidrodrini”, që mbulon rajonin e Pejës, ka njoftuar se si pasojë e rënies së sasisë së ujit në burime kanë filluar ndërprerjet me furnizim në disa lokalitete.

Shkak i këtyre reduktimeve, sipas kësaj kompanie, janë edhe keqpërdorimet nga ana e konsumatorëve.

“Nëse situata e mungesës vazhdon me trend të njëjtë ose në rritje, reduktimet do të shtrihen edhe nëpër rajone të tjera. Uji është jetë, ta ruajmë dhe ta përdorim racionalisht”, thuhet në njoftim.

Apel për kursim të ujit ka bërë edhe KRU “Gjakova”, e cila ka paralajmëruar gjoba për keqpërdoruesit.

“Uji i pijshëm është duke u keqpërdorur nga vetë faktori njeri për ujitje, jeni ju ata që po e pamundësoni furnizimin racional të ujit për një pjesë të konsumatorëve. Çdo përdorim i ujit për qëllime të tjera…bie ndesh me rregulloret dhe ligjet në fuqi në bazë të të cilave parashihen edhe dënime për keqpërdoruesit”, kanë thënë në këtë ndërmarrje.

E Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se Kosova tashmë është përfshirë nga temperaturat ekstreme të larta si rezultat i ardhjes së masave të nxehta të ajrit nga Afrika Veriore.

Mot me diell dhe temperatura të larta ka mbretëruar edhe të mërkurën në Kosovë. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se temperaturat shkuan deri në 37 gradë celsius.

Është rekomanduar që gjatë këtyre ditëve të evitohet kontakti direkt me rrezet e diellit nga ora 10:00-17:00, sidomos nga personat me sëmundje kronike, hipertension, diabetikët, asmatikët etj. Po kështu, është rekomanduar edhe bartja e syzeve për mbrojtje nga rrezet e diellit, bartja e ombrellave, rrobave me ngjyra të lehta, kremrave adekuate për mbrojtjen e lëkurës, konsumimi i ujit, pemëve e perimeve si dhe ushqim me sa më pak yndyrë.

Sipas parashikimeve, temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë celsius gjatë vikendit./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing