Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Rrezikohet operimi, KEK-u angazhon 50 punëtorë të një kompanie private

Vendi  |  24.07.2023 Ora 10:38   

Korporata Energjetike e Kosovës është duke u përballur me mungesë të punëtorëve. Konkursi i pezulluar pas fillimit të hetimeve nga organet e hetuesisë ka bërë që kjo ndërmarrje të lidhë kontratë me një kompani private për angazhimin e rreth 50 punëtorëve teknikë. Përfaqësues të Sindikatës së Punëtorëve të KEK-ut kanë thënë se vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti 144 punëtorë kanë shkuar në pension, ndërsa deri në fund të vitit do të pensionohen edhe 97 të tjerë

Numri i madh i punëtorëve që kanë mbërritur moshën e pensionit dhe pezullimi i konkursit për pranimin e punëtorëve të rinj ka detyruar Korporatën Energjetike të Kosovës që të firmosë kontratë me një kompani private për angazhimin e rreth 50 punëtorëve teknikë. Marrëveshja e arritur javën e kaluar është për periudhë 1-vjeçare dhe ka kosto prej 270 mijë eurove. Punëtorët do të angazhohen në termocentralin “Kosova B”, ndërsa detyrat e tyre janë prerja e përgatitja e gypave për saldim, si dhe pastrimi i ambienteve të këtij termocentrali.

Sipas dosjes së tenderit, gjatë remonteve vjetore ata janë të obliguar që të realizojnë të gjitha punët dhe aktivitetet sipas planit të remontit të përpiluar nga inxhinierët përgjegjës, si dhe konform udhëzimeve teknologjike për riparim.

“Punët e mjeshtërisë mekanike duhet të realizohen në tërë objektet e TC “Kosova B” sipas nevojës në njësitë prodhuese B1 dhe B2: Gjenerator të avullit, sallën e makinave, kaldatoren ndihmëse, sistemin e mazutit, përgatitjen kimike të ujit, elektrolizë, cirk stacion, sistemin e transportit të brendshëm dhe të jashtëm të hirit, sistemin e thëngjillit etj.”, thuhet në dosje.

Aty po ashtu thuhet se operatori ekonomik është përgjegjës për sigurim të mjeteve mbrojtëse në punë, numër të mjaftueshëm të punëtorëve e në kohë të remonteve të shtojë ata.

Në KEK nuk kanë dhënë detaje rreth kontratës së nënshkruar, por kanë folur për mungesën e punëtorëve në ndërmarrje. Në përgjigjen e tyre për KOHËN kanë bërë të ditur se aktualisht i kanë 184 axhustatorë dhe 5 punëtorë fizikë që kryejnë punë të tilla.

Konkursi i shpallur vitin e kaluar ishte anuluar, ani se për pozita të tilla kishin aplikuar mbi 4.600 kandidatë.

“Konkursi është anuluar vetëm për dy fazat, testi me shkrim dhe intervista me goje, kurse aplikimi vlen. Konkursi është i pezulluar derisa të kemi njoftimin nga organet e drejtësisë rrethe statusit të kësaj lënde”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut.

Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti 144 punëtorë kanë shkuar në pension, ndërsa deri në fund të vitit parashihet që të shkojnë edhe 97 të tjerë.

Nga Sindikata e Punëtorëve të KEK-ut thonë se nevojat për punëtorë janë të mëdha dhe se sipas skemës organizative të 2016-s janë rreth 2 mijë punëtorë mungesë. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka thënë se asnjëherë kompanitë private nuk mund të kryejnë punën si punëtorët e KEK-ut, por në mungesë të tyre është domosdoshmëri që punët të kryhen me operatorë ekonomikë.

“Ne kemi edhe mihjet që kanë mungesë të jashtëzakonshme dhe mihjet pothuajse janë në gjendje shumë të rëndë sidomos departamenti i djerrinës. Mirëpo, askush nuk po intervenon atje dhe ka rrezik që të ndalet prodhimi i qymyrit në mungesë punëtorëve, por edhe në mungesë të shpronësimit të tokave që janë atje”, ka thënë ai.

Në mungesë të stafit ai thotë se punëtorët po detyrohen që të punojnë me orare të zgjatura.

“Në mungesë të punëtorëve po duhet të punohet jashtë orarit me dy ndërresa e qe besa edhe me tri dhe normalisht kur ka rrezikshmëri në vendet e punës dëmtohet shëndeti i tyre. Ne në vazhdimësi kemi 1 për qind të stafit që vdesin prej sëmundjeve profesionale që i marrin në vendin e punës, normalisht që zgjatja e orarit të punës dhe natyra e punës është e tillë dhe përkundër masave mbrojtëse po dëmtohet shëndeti dhe njerëzit po pësojnë vdekje të parakohshme”, ka thënë ai.

Edhe nga menaxhmenti i ndërmarrjes e pranojnë se kanë kërkesa të vazhdueshme nga divizionet për punëtorë shtesë pas pensionimit të punëtorëve, por edhe atyre që ndërrojnë jetë para pensionimit.

KEK-u aktualisht ka 3 mijë e 267 punëtorë.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing