Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Haqif Mulliqi – zë origjinal i dramës shqipe, personifikim i teatrit

Kulturë  |  26.07.2023 Ora 10:35   

Duke lënë prapa krijimtari si rrallëkush në fushat ku ka kontribuar, Haqif Mulliqi vdiq të martën në moshën 63-vjeçare. Vdekja e një prej dramaturgëve më të inskenuar në teatrot shqiptare është parë si humbje e madhe për artin, njëjtë si për Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe për kritikën teatrore.

Vrojtues i hollë i botës teatrore, kritik e një prej autorëve më produktivë të dramës bashkëkohore shqipe, është veç një anë e personalitetit. Haqif Mulliqi para se fenomenet shoqërore t’i shpërfaqte në skena teatrore, ato i kishte prekur. Qe gazetar për një kohë e edhe reporter lufte. Më pas iu rrek edhe edukimit, duke qenë profesor i dramaturgëve të rinj. Duke lënë prapa krijimtari si rrallëkush në fushat ku ka kontribuar, Mulliqi vdiq të martën në moshën 63-vjeçare. Vdekja e një prej dramaturgëve më të inskenuar në teatrot shqiptare është parë si humbje e madhe për artin, njëjtë si për Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe për kritikën teatrore. Lajmin për vdekjen e Mulliqit e kanë dhënë familjarët e tij.

I lindur me 6 maj 1960, Mulliqi do të diplomonte në dramaturgji më 1996. Sipas biografisë së tij, në vitin 2009, në Tiranë, me temën “Psikologjia e personazhit në veprën e Shakespeares”, përfundoi studimet master për psikologji. E dy vjet më vonë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, me temën “Drama e shekullit XX në Evropë dhe Amerikë – nga Ibseni deri te klasikët e modernizmit, Beket dhe Jonesko” mori titullin master i shkencave të filologjisë. Në vitin 2015, në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë, doktoroi me temën “Drama, teatri dhe identiteti kulturor në Kosovë”. Prej vitit 2009 nisi ligjërimin për dramaturgji në Fakultetin e Arteve, për të arritur më pas deri në gradën akademike profesor i rregullt. Lista e dramave në autorësi të Mulliqit është e gjatë, ashtu si edhe e atyre që janë inskenuar.

Dramat “Trenat”, “Për të vërtetën”, “Pas luftës”, “The Kosowars”, “Trenat”, “Parfumeria”, “Asgjë të re në jug”, “Një varr për majorin e Mbretit”, “Kaos atdhedashurie në Paris”, “Një përkujtim në kafe teatër”, “Komedia apo marrëzia njerëzore”, “Maksi dhe Kimi apo takimi pas 21 vjetësh”, “Komedia”, “Ruleti ballkanik”, “Si e mposhta Mussolinin”, “Katër epoletat” janë inskenuar në teatrot vendore e ato të rajonit. Kurse drama “Katër epoletat” qe inskenuar në Teatrin e Dortmundit në Gjermani, e “Komedia” në teatrin “Corona” në Zvicër.

Mulliqi gjatë krijimtarisë së tij ka shkruar e bashkëshkruar skenarë filmash dhe është regjisor i disa shfaqjeve teatrore. Qysh prej viteve ’80 ka punuar si gazetar, kurse më 1998 dhe 1999 edhe reporter lufte.

Shkencëtar i dramës, profesor me erudicion të rrallë

Për kolegët e tij në profesion e po ashtu edhe në Fakultet, Mulliqi ka lënë gjurmë përmbajtjesore në art.

Dramaturgu, regjisori e profesori universitar Fadil Hysaj ka thënë se ka pasur nderin që Mulliqin ta ketë edhe student në gjeneratën e parë të dramaturgëve në fillim të viteve ’90. Derisa ka kujtuar atë kohë, ka shtuar se edhe në komunikimet e para me të kanë qenë kolegë.

“Dramaturg, regjisor, shkencëtar i dramës, profesor me erudicion të rrallë, me dije e memorie gjigante. Ishte dhe do të mbetet njohës dhe ndër mendjet më kreative të dramaturgjisë bashkëkohore shqipe”, ka thënë Hysaj. Sipas tij, dramat e Mulliqit kanë sjellë zhanrin e dramës se absurdit në dramaturgjinë shqipe.

“Inskenimet e tyre kanë pasur depërtime ndërkombëtare kur pakkush ka pasur mundësi të kalojë kufijtë e Kosovës. Ka qenë kritik me sens të hollë analitik i shfaqjeve teatrore, observues i fenomeneve bazike të dramës, aktrimit, regjisurës dhe publikut. Një personalitet i fuqishëm i bisedimit medial”, ka thënë Hysaj. Ka shtuar se kanë qenë të rrallë njohësit e dramës dhe të teatrit me diapazon aq të gjerë dhe të thellë sa Haqif Mulliqi.

“Shuarja e tij është një humbje e madhe për dramën, teatrin shqiptar dhe për shkencën teatrologjike, në të cilën ai ka dhënë më së shumti”, ka thënë Hysaj.

Lajmin për vdekjen e Mulliqit, kolegu i tij Besim Rexhaj e ka përshkruar si kumt të rëndë për familjen, për miqtë, studentët, për teatrin, dramën e skenën kulturore shqiptare. Sipas tij, sado që për të gjallë të tij Mulliqi shkroi më shumë se të tjerët drama, komedi e tragjikomedi dhe, po ashtu, sado inskenoi një numër të madh veprash dramatike, ai iku para kohe.

“Iku në kohën kur po i dhuronte dramaturgjisë, si asaj kombëtare, ashtu edhe asaj botërore, studime e observacione të shumta, të thelluara e të dobishme për lexuesin tonë. Iku në kohën kur përvojën e akumuluar krijuese, studimore, po e transformonte në libra e në studime, me një pjekuri e gjerësi të vëzhgimit, nga një kënd origjinal dhe i veçantë”, ka thënë Rexhaj. Sipas tij, në një kuptim Mulliqi vetëm sa ka ndërruar trajtën e të qenmes dhe se krijimet e tij, gjithë ajo energji krijuese, vazhdon ta mbijetojë vdekjen, vazhdon ta sfidojë e ta përbuzë mortjen e zezë.

“Se, për të gjallë, Haqif Mulliqi, si pak autorë të brezit të tij, që t’i mundte lëngatën e vdekjen, iu dhurua shkrimit, krijimit, dramës e teatrit dhe iu fal i tëri, sikur ashtu, diku iu fal tempullit të Talias, do t’i bënte lak vdekjes... Dhe, me krejt atë luftë me vdekjen, me gjithë ato krijime, me krejt atë energji krijimi, edhe kur hapet porta e fundit e jetës, vdekja, Haqifi vazhdon të jetojë me kreaturat e tij, me atë opus të pasur, të larmishëm, të thellë e të pazakonshëm të të qenmes krijuese dhe, kështu, vazhdon ta sfidojë, edhe nga përtej, vdekjen”, ka thënë Rexhaj.

Figura autoritative e dramaturgjisë bashkëkohore

Si një prej zërave më autoritativë, më origjinal dhe produktiv të dramaturgjisë bashkëkohore shqipe, Mulliqin e ka përshkruar dramaturgu Jeton Neziraj. Sipas Nezirajt, Mulliqi është larg autori më i inskenuar shqiptar në teatrot shqiptare.

“Dhe kjo vetëm se e dëshmon origjinalitetin e tij, shkathtësinë e tij për të prekur tema e probleme që prekin pulsin e shoqërive tona dhe po ashtu tregon që ai ka qenë i lidhur me teatrin, me të bërit teatër, në mënyrë të pashkëputshme”, ka thënë Neziraj, një prej dramaturgëve më të inskenuar në skenën ndërkombëtare. Sipas tij, kurdo “kur është kukatur për mungesë të dramaturgjisë shqipe, dramat e Mulliqit kanë qenë aty për të dëshmuar të kundërtën”.

“Vdekja e tij e hershme është vërtet humbje e madhe për teatrin shqiptar, por humbje edhe për studimet e dramaturgjisë, ku ai për vite të tëra ka dhënë mësimet e dramaturgjisë”, ka thënë Neziraj.

Vdekjen e Mulliqit e kanë parë si humbje të madhe për artin e kulturën edhe drejtues të institucioneve të ndryshme.

Veprat – testament për brezat e ardhshëm

Vdekjen e Mulliqit e kanë përshkruar si humbje të madhe edhe figurat politike. Presidentja Vjosa Osmani nëpërmjet një telegrami të ngushëllimit ka thënë se me dhimbje të thellë e kanë pranuar lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit, profesorit e dramaturgut Haqif Mulliqi.

“Ai la gjurmë jo vetëm në fushën e gazetarisë, sferës akademike, por edhe në atë të dramaturgjisë, ndaj veprat e tij janë testament për brezat e ardhshëm”, shkruhet në telegram.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nëpërmjet një telegrami të ngushëllimit drejtuar familjes ka shkruar se me dhimbje të madhe e ka pranuar lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit e dramaturgut.

“Do ta kujtojmë me krenari si një emër me të cilin është personifikuar teatri i mirëfilltë dhe do të mbetemi përherë mirënjohës për kontributin e tij si pedagog universitar, dramaturg, regjisor, studiues, kritik i dramës, publicist dhe eseist”, shkruhet në telegram. Sipas ministrit Çeku, opusi krijues i Mulliqit në fushën e dramaturgjisë është i vëllimshëm dhe shumështresor, e kjo trashëgimi do të vazhdojë të frymëzojë gjenerata të studiuesve dhe entuziastëve të kulturës në Kosovë dhe më gjerë.

“Ndikimi i prof. dr. Haqif Mulliqit u shtri shumë përtej sferës akademike. Ai ishte i njohur për ngrohtësinë dhe mirësinë e tij, duke e bërë atë një figurë të dashur brenda komunitetit. Ngushëllime atyre, miqve dhe kolegëve”, shkruhet në telegram.

Ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, tash kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, vdekjen e Mulliqit e ka përshkruar si një ikje të paparalajmëruar që ka lënduar krejt bashkëpunëtorët e tij. Nëpërmjet një teksti në Facebook ai ka thënë se Mulliqi qe “reporteri i luftës, zëri i së vërtetës historike, i cili informoi nga vijat e fronteve të luftës çlirimtare që nga ditët e hershme të UÇK-së dhe si i tillë do të mbetet i paharruar në kujtesën dhe përpjekjen e popullit tonë për liri”.

“Kam pasur fatin e madh që gjatë punës sime si ministër i Kulturës, profesorin Haqif ta kem këshilltar e bashkëpunëtor shumë të afërt. Bashkë kemi punuar shumë, gjatë, pa orar, me vullnet e përkushtim për pak më shumë punë të mira për komunitetin artistik të vendit tonë. Ishte gjithmonë frymëzuese dija, energjia dhe elani i tij për punë”, ka shkruar ai.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka çmuar kapitullin e Mulliqit në gazetari. “Veprimtarinë e tij si gazetar e kishte filluar në gazetën ‘Bota e Re’, (1983 – 1990), duke vazhduar në gazetën ‘Fokus’ në Kroaci (1992), gazetën ‘Potlet’ në Zagreb (1988 -1991), e më pastaj edhe si redaktor e korrespodent edhe në shumë gazeta e revista të tjera vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të AGK-së”, ku veçohet edhe kontributi i tij gjatë viteve 1998-99, në raportimin gjatë luftës në Kosovë. “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e tij”, thuhet në telegram.

Si lajm të trishtë vdekjen e Mulliqit e ka përshkruar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Sipas asaj që ka shkruar Rama në rrjetin social Facebook, kujtimet për të do të jenë të ngrohta dhe të shenjta.

“Një njeri i përkushtuar ndaj artit dhe të vërtetës, një prijës i kauzave të drejtësisë dhe ndihmës së të tjerëve. Veprat e tij do të qëndrojnë gjallë, si në skenat e teatrit ashtu edhe në faqet e gazetave, duke frymëzuar dhe ndriçuar gjenerata të reja. I drejtohem familjes së tij me fjalët më të thella të ngushëllimit. Ta ruajmë trashëgiminë e tij si një inspirim për të gjithë ne”, ka shkruar Rama.

Me një telegram ngushëllimi familjes Mulliqi i është drejtuar edhe dekani i Fakultetit të Arteve, Hazir Haziri. Ka shkruar se me pikëllim të thellë e kanë marrë lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit të respektuar.

“Profesori Mulliqi ka dhënë kontribut të çmueshëm dhe të vazhdueshëm në përgatitjen e gjeneratave të reja të artistëve në fushën e dramaturgjisë e të artit skenik. Ai ishte autor i shumë veprave dramatike, si dhe autor i shfaqjeve teatrore për vite me radhë”, shkruhet në telegram. Sipas dekanit Haziri, profesori Mulliqi do të kujtohet nga studentët e kolegët e tij dhe nga komuniteti më i gjerë akademik e artistik për përkushtimin, punën e palodhshme dhe profesionalizmin e tij.

Sa i përket botës teatrore Mulliqi ka lënë prapa dramat ku shtjellohen fenomene të shumta shoqërore. Te studimet preku aspekte të shumta të artit, përderisa te gazetari qe emër edhe në kohë kur dramat ishin reale më 1998-1999, duke raportuar për luftën./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing