
Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Më shumë se 50 qytetarë kanë shprehur interesim dhe janë regjistruar në listën pritëse për të adoptuar qen endacakë, si individ por edhe si subjekte juridike, duke i plotësuar kushtet e paracaktuara nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinë e Kosovës. Kështu tha në një përgjigje me shkrim për RTK-në, drejtori për siguri dhe emergjenca në komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica.
Tutje në përgjigjen e Fushticës thuhet se bazuar në konsultat paraprake me profesionistët e fushës, zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, por edhe shoqatat për mbrojtjen e kafshëve, është konstatuar se shuma prej 50 euro është më se e mjaftueshme për t'i përmbushur nevojat, duke pasur parasysh se qentë endacakë që do të adoptohen, do të jenë të shëndoshë, të vaksinuar dhe shërbimet e mëtutjeshme mjekësore do të mund t’i kryejnë pa pagesë në Qendrën për trajtimin e qenve endacakë të kryeqytetit, e cila do të hapet shumë shpejt.
Nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës treguan se deri ku ka shkuar procesi i regjistrimit të qenve me pronarë.
“AUV është duke zhvillu një projekt për identifikimin dhe regjistrimin të qenve me pronar. Deri këtu gjithçka është duke shkuar sipas dinamikës së paraparë, pasi janë identifikuar dhe regjistruar deri më tani rreth 10 mijë e 800 qenë dhe projekti do të vazhdojë”, tha Lamir Thaçi nga AUV.
Thaçi ka ftuar të gjithë mbajtësit e qenve të cilët ende nuk e kanë bërë identifikimin dhe regjistrimin, që të përfitojnë nga ky projekt./rtk/