
Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Të pakënaqur me koeficientin e ri të Ligjit të Pagave. Rreth 100 punëtorë të Flotës Operative dhe Departamentit Mbështetës Operativ të Policisë së Kosovës protestuan këtë të martë.
Megjithëse nuk u lejuan pamje nga protesta, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, foli për pakënaqësitë e këtyre punëtorëve.
"Këta me koeficient me ligjin e ri të pagave nuk janë klasifikuar si profesionistë, por kanë mbetur si ndihmës punëtorë apo mirë me thanë janë vlerësuar me koeficient 3.86 apo 4, që mund të themi se barazohet me një punëtor të mirëmbajtjes", tha Imer Zeqiri - kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës.
Për këtë çështje, Zeqiri theksoi se ka adresuar kërkesa edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.
“Nëse na vazhdon situata kështu me këtë lloj papërgjegjësie apo moskthimin e përgjigje, atëherë ne do të jemi të detyruar të veprojmë sipas kërkesave edhe të zyrtarëve policorë edhe të shërbyesve civilë”, tha Zeqiri.
Përveç punëtorëve të Flotës Operative, një sërë ankesash janë dërguar te Avokati i Popullit, që nga miratimi i Ligjit të Pagave, ndërsa këta të fundit më 7 prill e kanë dërguar këtë ligj në Kushtetuese.
Zyrtarë nga Gjykata Kushtetuese bëjnë të ditur për RTK-në se lënda është ende duke u shqyrtuar.
“Lënda për Ligjin e Pagave është duke u shqyrtuar. Sapo të merret vendimi, për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni. Ligji i Pagave ka hyrë në fuqi nga muaji shkurt, ndërkaq vlera e koeficientit prej 105 eurosh ka ngjallur shumë pakënaqësi në sektorin publik”, Gjykata Kushtetuese./rtk/