Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Të gjithë njerëzit thonë se kanë ëndërruar të paktën një herë për të paketuar çantat dhe për t'u zhvendosur në një cep krejt tjetër të planetit, qoftë për të shijuar lirinë, për një punë tjetër apo thjesht për t'iu përgjigjur thirrjes për aventurë.
Sigurisht se këta individ do të lumturoheshin të dinin se ka vende në botë që do t’i paguanin për ta bërë pikërisht këtë dhe madje do t’i ndihmonin të vendoseshin në shtëpinë e tyre të re.
LonelyPlanet ka renditur shtatë vende anembanë botës që nxisin njerëzit në mënyra interesante që të zhvendosen atje.
1. Tulsa, Oklahoma, SHBA
Për më shumë se katër vjet, qyteti i dytë i Oklahomës ka inkurajuar punëtorët e largët që të paketohen dhe të shpërngulen atje përmes programit Tulsa Remote.
Ata persona që do të të aplikonin për të shkuar atje do të merrnin 10 mijë dollarë.
Gjithashtu do të përfitonin edhe një shumë prej 500 dollarësh në muaj, për një vit rresht nga dita kur do të zhvendoseshin për të jetuar atje.
Programi filloi në nëntor të 2018 dhe që atëherë ka shkuar duke u forcuar
2. Albinen, Zvicër
Ashtu si vendet e tjera të kësaj liste, fshati i bukur piktoresk Albinen, në kantonin zviceran të Valaisit, ka probleme me një popullsi në rënie. Ky fshat numëron më pak se 250 banorë.
Urgjenca e ngritjes së kësaj shifre është arsyeja pse qeveria zvicerane ka filluar të paguajë njerëzit për t'u zhvendosur atje. Familjet që transferohen në Albinen mund të marrin deri në 25,000 franga zvicerane (pothuajse 27,000 dollarë) për një anëtarë të rritur dhe deri në 10,000 franga (pothuajse 11,000 dollarë) për një fëmijë.
Për të përfituar nga kjo skemë, ju duhet të jeni shtetas zviceran ose të keni një leje qëndrimi të përhershme në Zvicër. Përveç kësaj, ju duhet të angazhoheni për të blerë një shtëpi në komunë dhe për ta bërë atë shtëpinë tuaj primare për të paktën 10 vjet.
3. Sardenja, Itali
Një nga dy rajonet ishullore në brigjet e Italisë, Sardenja është e njohur në të gjithë vendin dhe botën për plazhet e saj mahnitëse, gjuhën dhe zakonet unike, të cilat janë mbajtur gjallë gjatë shekujve.
Si shumë vende rurale në Itali, edhe fshatra dhe qytete të shumta sardiniane përballen me një krizë shpopullimi, që administrata rajonale dëshiron ta trajtojë me një skemë financiare të njoftuar korrikun e kaluar.
Aplikuesit që bëjnë rezidencën e tyre zyrtare në një fshat sardinian me më pak se 3000 banorë, ose që lëvizin atje pasi kanë blerë një shtëpi, mund të presin një pagesë deri në 15,000 € për shpenzimet e strehimit.
4. Topeka, Kansas, SHBA
Një pilot program i quajtur “Choose Topeka” po josh ata që pranojnë të zhvendosen dhe të punojnë në kryeqytetin shtetëror të Kansasit me një pagesë prej 15,000 $ (për ata që blejnë një shtëpi në Topeka) ose 10,000 $ (për qiramarrësit).
I filluar në vitin 2020 dhe ende në vazhdim, programi kërkon të ndihmojë në rritjen e numrit të banorëve të qytetit, si dhe të plotësojë vendet e punës në sektorët e tij të shërbimeve financiare, botimit, arsimit dhe qeverisë.
5. Vermont, SHBA
Mund të habiteni që Vermonti me liqenet, pyjet, ngjyrat e vjeshtës dhe qendrat e skijimit, do të detyrohej të joshte banorët e ardhshëm me para në dorë.
Por kjo është pikërisht ajo që bën shteti. Shteti i dytë më pak i populluar pas Wyoming, Vermonti po kërkon të zgjerojë fuqinë punëtore me një skemë zhvendosjeje që nisi në janar 2019.
Aplikantët e suksesshëm në Programin e Madh të Punëtorëve të Rinj të Largët që përmbushin të gjitha kriteret mund të marrin ndihmë nga qeveria e shtetit për të mbuluar kostot e zhvendosjes, nga marrja me qira e makinave deri te mbyllja e kostove për një banesë primare ose një depozitë qiraje.
6. Santiago, Kili
Qeveria kiliane po kërkon të transformojë kryeqytetin e saj Santiago në një qendër ndërkombëtare të teknologjisë duke u ofruar sipërmarrësve 40,000 dollarë për të lëvizur dhe për të nisur bizneset e tyre në qytet.
I nisur në vitin 2010, programi, i quajtur Start-Up Chile, ofron disa variacione që u shërbejnë llojeve të ndryshme të start-up-eve, duke përfshirë një vetëm për projektet e udhëhequra nga gratë. Atyre që janë përzgjedhur për programin u jepen viza pune njëvjeçare, si dhe një hapësirë bashkëpunimi falas dhe qasje në një rrjet kontaktesh.
I shtrirë midis Andeve dhe Paqësorit dhe duke u mburrur me një ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme, Santiago është një vend mjaft tërheqës për të jetuar dhe punuar.
7. Presicce-Acquarica, Itali
I vendosur në Salento, Puglia tek "thembra" e çizmes së famshme italiane, një nga pjesët më të bukura të një prej vendeve më të bukura, qyteti i vogël Presicce-Acquarica u formua në vitin 2019 nëpërmjet bashkimit të komunave Presicce dhe Acquarica del Capo.
Qyteti i ri ka më pak se 10,000 banorë një numër që administrata lokale do të donte të shihte rritje. Prandaj autoritetet lokale po përgatiten të njoftojnë një program që do të nisë së shpejti, të quajtur "Mirë se vini në Presicce-Acquarica".
Pasi të jetë iniciuar zyrtarisht, programi do të kujdeset si për individët ashtu edhe për familjet që zgjedhin të zhvendosin vendbanimin e tyre në Presicce-Acquarica, duke u dhënë atyre një kontribut deri në 30,000 € për blerjen e një shtëpie si dhe për çdo rinovim që prona mund të ketë nevojë./koha/