Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se është hapur njoftimi për dorëzimin e ofertave mbi ekzekutimi ne punimeve për projektin e rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë.
Aliu ka bërë të ditur se kjo rrugë do të ketë gjatësi 9.78 kilometra, me katër korsi e me objekte ndihmese e struktura infrastrukturore.
Ministri ka theksuar tutje se projekti do të kushtojë rreth 30 milionë euro, e do të financohet nga huamarrja e Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, në bashkëfinancim me Fondin Saudit për Zhvillim.
“Tashmë kemi publikuar njoftimin për dorëzimin e ofertave për ekzekutimin e punimeve për projektin e rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë, në gjatësi prej 9.78 km. Punët ndërtimore përfshijnë zgjerimin e rrugës ekzistuese, rrugë kjo me katër korsi me dy drejtime të ndara, me korsi secila prej 3.75 m gjatësi e po ashtu edhe me korsi ndihmëse në të dyja anët me gjerësi prej 2.0m. Objekte ndihmëse dhe struktura tjera infrastrukturore si ura. Ky projekt financohet nga huamarrja nga Fondi i OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar në bashkëfinacim me Fondin Saudit për Zhvillim. Kostoja e përafërt do të jetë rreth 30 milionë euro e kohëzgjatja e ekzekutimit të punimeve pritet të jetë 12 muaj, nga data e fillimit të projektit. Punimet pritet të fillojnë menjëherë pas përzgjedhjes së operatorit”, thuhet në një videomesazh të publikuar në Facebook.
Ai ka shtuar se do të jetë i përkushtuar për realizim cilësor e brenda afateve, duke theksuar se “kemi angazhuar edhe kompaninë mbikëqyrëse”.
Kosova ka shkëputur kontratën me kontraktorin “Pevlaku & Patishta” i cili ishte i angazhuar në projektin “zgjerimi i rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë”.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, pati thënë në KTV se zvarritjet kanë ndodhur për shkak se kompania ka qenë e papërgjegjshme dhe nuk e ka respektuar marrëveshjen që e nënshkruar.
Ai ka thënë se kontraktori me të cilin është shkëputur kontrata, përveç që nuk i ka respektuar afatet kohore të përfundimit të projektit, po ashtu ka pasur të angazhuar nënkontraktorë ilegalë.
Kontrata ishte nënshkruar në fund të vitit 2021./koha/