Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Komisioni Evropian ka publikuar një plan të detajuar që synon t’i japë fund importit të gazit, naftës dhe lëndëve bërthamore nga Rusia deri në fund të vitit 2027.
Ky "roadmap" përfshin ndalimin e të gjitha importeve të gazit natyror dhe të lëngshëm rus në vendet anëtare të BE-së, dhe kërkon që shtetet të dorëzojnë plane kombëtare për zëvendësimin e burimeve energjetike nga Rusia.
Komisioneri Evropian për Energji, Dan Jorgensen, deklaroi në Strasburg se “nuk do të lejojmë më që Rusia ta përdorë energjinë si armë kundër nesh” dhe shtoi se masat do të jenë graduale për të minimizuar ndikimet në ekonomi.
Që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022, BE ka reduktuar ndjeshëm varësinë ndaj energjisë ruse: importet e gazit kanë rënë nga 45% në 19%, ndërsa ato të naftës nga 27% në 3%.
Megjithatë, më shumë se 14% e uraniumit në BE ende vjen nga Rusia, çka tregon se mbetet punë për t’u bërë.
Plani përfshin gjithashtu ndalimin e përdorimit të “flotave fantazmë” – cisternave nafte me pronësi dhe sigurim të paqartë që Rusia përdor për të anashkaluar sanksionet.
Ky hap konsiderohet si një përpjekje strategjike për të garantuar sigurinë ekonomike të BE-së dhe për të ndaluar financimin indirekt të ekonomisë së luftës së Rusisë.