Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Një nga fabrikat e grumbullimit të qumështit në Kosovë rrezikon që ta ndërpres bashkëpunimin me disa fermerë.
Kjo pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
“Si rezultat i kësaj situate, kemi rritje të kostove operative. Në të njëjtën kohë, edhe punëtorët tanë kanë kërkuar rritje pagash, pasi edhe atyre iu janë rritur faturat personale të energjisë. Për të ruajtur stabilitetin e biznesit, aktualisht po shqyrtojmë mundësinë e zvogëlimit të prodhimit dhe ndërprerjes së bashkëpunimit me rreth 200 fermer”, ka thënë Afrim Berisha.
Madje sipas pronarit të kësaj fabrike, ani pse kanë shprehur interesim për të lidhur kontratë me disa kompani të licencuar për shitjen e energjisë, një gjë të tillë nuk kanë mundur ta realizojnë.
“Liberalizimi i tregut të energjisë për neve si kompani ka sjellë pasiguri, kryesisht për shkak të mungesës së qartësisë në proces dhe vështirësive për të siguruar oferta konkrete. Ne kemi kontaktuar dy herë 18 kompani të licencuara për furnizim: 3 kompani janë përgjigjur se nuk mund të ofrojnë ofertë. 14 kompani nuk janë përgjigjur fare.1 kompani ka kërkuar që të dorëzojmë të dhëna shumë të detajuara për konsum deri në vitin 2026, të ndara për çdo orë, ditë dhe muaj, të cilat nuk i kemi të disponueshme, pasi as operatori i sistemit nuk i ofron në këtë formë”, ka thënë Berisha.
E përveç kësaj kompanie, sipas Dhomës së Tregtisë, probleme të tilla kanë edhe shumë biznese të tjera.
“Kompanitë tona anëtare i kanë dorëzuar tek ne të njëjtat që kanë kërkuar të gjitha kompanive të licencuara kërkesën për të marrë oferta, por nuk iu kanë kthyer përgjigje. Dikush i ka thirrë në telefon për të mos lënë gjurmë në email të përgjigjeve. Duke iu thënë që ne nuk mund të operojmë këtë vit. Dikush tjetër iu ka kërkuar gjëra që janë jashtë normave, kjo ka shkaktu telashe pas telashe tek kompanitë”, ka thënë Kushtrim Ahmeti.
Madje sipas Ahmetit, i vetmi ofertues serioz deri më tani është KESCO, e cila një megavat të energjisë elektrike është duke shitur nga 250 deri në 270 euro.
Në anën tjetër, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka treguar se si janë duke shkuar çmimet e energjisë në bursën shqiptare të energjisë elektrike.
“Këtu KEK siguroi energjinë elektrike për ndërmarrjet në treg të lirë, në ditën e parë të liberalizimit të tregut. Çmimi mesatar i energjisë së blerë për dje ishte 64.55 Euro për MËh, ndërsa sasia e blerë për sot është kontraktuar me çmim 86.75 Euro për MËh, që të dyja çmime konkurruese”, ka shkruar Rizvanolli.
E një thirrje për bizneset gjatë ditës e pati edhe Korporata Energjetike e Kosovës.
“KEK është përcaktuar si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF) me mandat të vlefshëm deri më 30 Korrik 2025. Konsumatorët që nuk kanë zgjedhur ende furnizues në tregun e lirë kane kaluar automatikisht te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF) dhe furnizohen me energji elektrike nga dt. 01 qershor 2025 nga KEK-u.Obligimet që rrjedhin nga liberalizimi i tregut.• Afati ligjor për furnizim nga FMF ka filluar më 01.06.2025.• Afati për lidhjen e kontratave me KEK si FMF është 8 ditë nga kjo datë”, thuhet në deklaratë në Facebook.
Bizneset kanë paralajmëruar se do të protestojnë prapë në ditët në vijim nëse vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike nuk pezullohet.