Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Vendimi i fundit i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), për kalimin e detyrueshëm të bizneseve të mëdha në tregun e lirë të energjisë, ka ngritur shqetësime serioze në sektorin privat.
Shumë kompani tashmë po përballen me pasiguri dhe mungesë informacioni, duke e parë këtë ndryshim si një barrë shtesë që mund të reflektohet drejtpërdrejt në çmime për konsumatorin.
Një pronar i një librarie në Fushë Kosovë, shprehet se përveç mungesës së ofertave nga furnizues alternativë, frika më e madhe është rritja e kostove operative. “Me rritjen e energjisë, rriten edhe çmimet e artikujve dhe shërbimeve. Fitimi zvogëlohet dhe kjo na godet direkt,” thekson ai.
Ai gjithashtu kritikon mungesën e transparencës dhe koordinimit gjatë këtij procesi, duke thënë se as bizneset, as dhomat ekonomike nuk janë informuar siç duhet.
Nga ana tjetër, eksperti i energjetikës, Vezir Rexhepi, thotë se liberalizimi i tregut është i domosdoshëm, por Kosova ende nuk ka një sistem të qëndrueshëm energjetik për ta përballuar me sukses. “Na mungon stabiliteti i prodhimit dhe mungojnë operatorët konkurrues në treg. Pa një platformë të qartë dhe informim të plotë, ky proces mbetet problematik,” deklaroi Rexhepi.
Në shenjë pakënaqësie, të mërkurën pritet që mbi 1300 biznese të organizojnë një protestë të dytë kundër vendimit të ZRRE-së, duke kërkuar anulimin e tij dhe një qasje më të koordinuar për sektorin energjetik.