Hardy ka anuluar të gjitha datat europiane të turneut të tij aktual.
Pjesa evropiane e turneut “Jim Bob” ishte planifikuar të zhvillohej nga 19 qershori deri më 3 korrik, duke nisur me një koncert në Festivalin Copenhell në Kopenhagen, Danimarkë. Turneu përfshinte gjithashtu koncerte në Belgjikë, Irlandë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Holandë.
Këngëtari i muzikës country, i cili kombinon hard rock me country nga Nashville, nuk ka dhënë ndonjë shpjegim për anulimin.
Të hënën, këngëtari i hitit “Rockstar” postoi një mesazh në rrjetet sociale, ku shkroi: “Nuk ishte një vendim i lehtë, por një vendim që duhej ta merrja për grupin tim, ekipin dhe familjen time. Ju lutem dijeni që ju dua të gjithëve dhe do të kthehem sa më shpejt që të mundem.”
Në njoftim theksohet se do të bëhen rimbursime për biletat në vendin ku janë blerë.
Turneu botëror “Jim Bob” nisi në Shtetet e Bashkuara më 22 maj me një koncert në Chula Vista, Kaliforni. Data e radhës e planifikuar në faqen zyrtare të këngëtarit është më 18 korrik në Wisconsin. Turneu pritet të përfundojë më 24 shtator me një koncert në Madison Square Garden në New York.
Hardy dhe bashkëshortja e tij, Caleigh, pritën fëmijën e tyre të parë, vajzën Rosie Ryan Hardy, në mars.