Legjenda uellsiane e muzikës, Tom Jones, ka anuluar koncertin e tij në Gjermani vetëm disa orë para se të ngjitej në skenë, për shkak të një infeksioni në rrugët e sipërme të frymëmarrjes.
Në një postim në rrjetet sociale, këngëtari 85-vjeçar i hitit “Sex Bomb” njoftoi se nuk do të mund të performonte në qytetin e Bremenit të martën, më 22 korrik, për shkak të gjendjes shëndetësore dhe kërkoi ndjesë për zhgënjimin dhe shqetësimet që kjo mund të ketë shkaktuar tek fansat.
“Përshëndetje për të gjithë fansat në Bremen,” shkroi ai në Facebook. “Fatkeqësisht, më duhet të shtyj koncertin e këtij mbrëmjeje pasi kam marrë një infeksion respirator që kërkon trajtim dhe pushim. E di që kjo është zhgënjyese dhe u kërkoj ndjesë të gjithëve. Por koncerti do të mbahet tashmë më 28 korrik, të hënën. Të gjitha biletat mbeten të vlefshme për datën e re. Faleminderit për mirëkuptimin. Me dashuri, Tom.”
Pavarësisht shqetësimeve të fundit shëndetësore, Jones pritet të jetë në krye të festivalit Discovery në Slessor Gardens, Dundee, këtë fundjavë.
Pas koncertit të riplanifikuar në Gjermani, ai do të udhëtojë drejt Spanjës, përpara se të rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar për të përmbyllur turneun e tij në atdhe, Uells.