Doktori Salvador Plasencia është deklaruar fajtor për shpërndarjen e paligjshme të ketaminës ndaj aktorit të njohur Matthew Perry, i njohur për rolin e tij në serialin “Friends”.
Ai është personi i katërt që përballet me drejtësinë në kuadër të hetimeve mbi vdekjen tragjike të Perryt në tetor 2023. Edhe pse mjeku nuk ishte përgjegjës për dozën vdekjeprurëse që i mori jetën aktorit, rrëfimi i tij ka hedhur dritë mbi mënyrën se si ai abuzoi me profesionin dhe dështoi ta mbronte pacientin e tij, i cili ishte i njohur për betejën e gjatë me varësinë. Plasencia pranoi katër akuza në një gjykatë në Los Angeles dhe do të dorëzojë vullnetarisht licencën e tij mjekësore. Ai pranoi se kishte dorëzuar Perryt dhe asistentit të tij 20 shishe me ketaminë, shiringa dhe tableta për thithje brenda një periudhe prej dy javësh. Dorëzimi i lëndëve nuk kishte qëllime mjekësore dhe shpesh ndodhte në ambiente të pazakonta, përfshirë një parking pranë një akuariumi. Në një nga komunikimet e tij me një tjetër mjek të përfshirë, Mark Chavez, ai e quante Perryn “idiot” dhe përmendte pagesa të larta deri në 12,000 dollarë për një vizitë në shtëpi.
Gjatë një seance më 12 tetor 2023, aktorit iu rrit ndjeshëm tensioni i gjakut, por pavarësisht rrezikut të qartë për shëndetin, Plasencia la doza të tjera të ketaminës në duart e asistentit të tij. Hetimet kanë zbuluar një rrjet të tërë personash të përfshirë në furnizimin e Perryt me ketaminë. Asistenti i tij, Kenneth Iwamasa, ka pranuar se i dha aktorit lëndën narkotike ditën e vdekjes. Eric Fleming, një tjetër i akuzuar, pranoi se kishte shpërndarë dozën vdekjeprurëse që e kishte marrë nga Jasveen Sangha – e njohur në media si “mbretëresha e ketaminës”. Sangha është e vetmja që nuk ka pranuar fajësinë dhe do të përballet me gjyq më vonë. Pavarësisht dënimeve të shumta, marrëveshja gjyqësore thekson se ketamina që i mori jetën aktorit nuk ishte dhënë nga Plasencia. Matthew u gjet i vdekur më 28 tetor 2023 në shtëpinë e tij në Los Angeles. Autopsia konfirmoi se ai vdiq nga efektet e ketaminës, duke rikthyer vëmendjen publike te rreziqet e varësisë dhe mungesës së kontrollit në sistemin mjekësor.