Një startup me qendër në Berlin, Tomorrow Bio, po ofron një shërbim tepër të pazakontë: për 200,000 dollarë, ata do të ngrijnë trupin tuaj menjëherë pas vdekjes ligjore, me shpresën se shkenca e së ardhmes mund t’ju rikthejë një ditë në jetë.
Procesi quhet krioprezervim – një ftohje e shpejtë e trupit në temperatura jashtëzakonisht të ulëta, për të parandaluar dekompozimin dhe dëmtimin e qelizave. Një ekip emergjence në gatishmëri 24/7 ndërhyn menjëherë pas vdekjes për të nisur procedurën.
Deri më tani, janë krioprezervuar “tre apo katër” persona dhe pesë kafshë shtëpiake, ndërsa afro 700 të tjerë janë regjistruar për këtë shërbim, duke besuar se mjekësia e së ardhmes do ta bëjë të kthyeshme vdekjen. Tomorrow Bio është laboratori i parë i këtij lloji në Evropë dhe planifikon të zgjerohet në SHBA në vitin 2025.
Megjithatë, komuniteti shkencor mbetet skeptik. Deri më sot, asnjë njeri – dhe asnjë kafshë – nuk është ringjallur me sukses pas krioprezervimit. Kritikuar nga shkencëtarë si neuroshkencëtari Clive Coen nga King’s College London, ideja cilësohet si “absurde”, për shkak të dëmeve të pakthyeshme në tru dhe besimit te teknologji ende të paprovuara, si nanomjekësia apo hartëzimi i trurit.
Pavarësisht kritikave, bashkëthemeluesi Emil Kendziorra këmbëngul se ia vlen të provohet:
“Nuk është fjala për të ngrirë trupin – por për ta krioprezervuar,” shpjegon ai. “Në të kundërt, krijohen kristale akulli që shkatërrojnë indet.”