Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës për periudhën 2022–2024, duke evidentuar probleme serioze në funksionimin, licencimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve parashkollore në vend.
Raporti thekson se, pavarësisht përpjekjeve për të avancuar edukimin në fëmijërinë e hershme, sistemi aktual përballet me mungesë të infrastrukturës ligjore sekondare dhe mekanizmave efektivë për monitorim e licencim.
Sipas ZKA-së, MASHTI nuk ka vendosur një proces të rregullt dhe të barabartë për licencimin e institucioneve, ndërsa në nivel lokal mungojnë planet zhvillimore dhe rregulloret e funksionimit.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca-Mehmeti, ka deklaruar se proceset aktuale nuk janë efektive dhe nuk garantojnë zhvillimin e duhur të institucioneve parashkollore.
Sipas të dhënave, në Kosovë janë gjithsej 245 institucione parashkollore: 170 private, 65 publike, 9 me bazë në komunitet dhe 1 me partneritet publiko-privat. Në komunat e audituara – Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë – numri i fëmijëve të regjistruar në edukimin parashkollor ka arritur në 11,404, prej tyre 2,796 në institucionet e përfshira në auditim.
ZKA ka dhënë tetë rekomandime konkrete për përmirësimin e gjendjes dhe funksionimit të sistemit parashkollor në Kosovë. Raportin e plotë mund ta lexoni këtu.