Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ndryshimi i stinëve nuk ndikon vetëm në mot, por edhe në sjelljen, humorin dhe funksionimin e trurit të njeriut. Kështu thuhet në një studim të publikuar në revistën shkencore Perspectives on Psychological Science, i cili analizon ndikimin e dimrit në psikologjinë njerëzore.
Sipas hulumtimeve, gjatë muajve të dimrit rritet rreziku për depresion sezonal, i njohur si Seasonal Affective Disorder (SAD), si dhe forma më të lehta të mërzisë së përgjithshme, e quajtur “winter blues”. Më pak dritë dielli ndikon në ritmin biologjik të trupit dhe në rregullimin e hormoneve që lidhen me humorin.
Studime të tjera tregojnë se përqendrimi, memoria dhe aftësia për të mësuar janë pak më të dobëta në dimër, gjë që lidhet edhe me mungesën e vitaminës D, e cila prodhohet kryesisht nga ekspozimi në diell.
Dimri ndikon gjithashtu në marrëdhëniet sociale. Sipas teorisë së “social thermoregulation”, njerëzit në temperatura të ulëta kërkojnë më shumë afërsi emocionale dhe sociale. Kjo shpjegon rritjen e interesit për filma romantikë dhe nevojën për lidhje më të ngushta njerëzore gjatë kësaj periudhe.
Ekspertët theksojnë se mënyra se si e perceptojmë dimrin luan rol të rëndësishëm. Personat që e shohin këtë stinë si kohë qetësie dhe reflektimi përjetojnë më pak efekte negative psikologjike.
Në përfundim, kuptimi i ndikimit sezonal në sjelljen tonë mund të na ndihmojë të menaxhojmë më mirë mirëqenien mendore dhe emocionale gjatë muajve të ftohtë.