Chuck Negron, anëtar themelues dhe vokalisti kryesor i grupit amerikan të fundviteve ’60 Three Dog Night, ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare. Ai u nda nga jeta në shtëpinë e tij në Studio City, Kaliforni, pas një beteje me sëmundjen pulmonare obstruktive kronike dhe insuficiencën kardiake.
Negron e formoi grupin së bashku me Danny Hutton dhe Cory Wells, duke e kthyer Three Dog Night në një nga bandat më të suksesshme të fundviteve ’60 dhe fillimviteve ’70, me mbi 20 hite në Top 40 të Billboard. Zëri i tij kryesor dëgjohet në këngë klasike si Joy To The World, Easy To Be Hard dhe Old Fashioned Love Song.
Pas përballjes me varësinë dhe rimëkëmbjes së tij, Negron nisi një karrierë solo dhe u bë një zë i fuqishëm në mbështetje të personave me probleme të abuzimit me substanca. Ai lë pas bashkëshorten, gjashtë fëmijë dhe nëntë nipër e mbesa.