Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Këngëtarja britanike Rita Ora ka reaguar publikisht pas rrjedhjes në internet të këngës së saj romantike “Tokyo Karaoke”, e dedikuar bashkëshortit të saj, regjisorit Taika Waititi.
35-vjeçarja kishte paralajmëruar muajin e kaluar se albumi i saj i katërt do të publikohet gjatë vitit 2026, por kënga e re u publikua pa paralajmërim. “Tokyo Karaoke” përmban vargje të frymëzuara nga udhëtimi i Ritës në Japoni, ku ajo ra në dashuri me Taikën, dhe ishte menduar fillimisht të ishte pjesë e albumit të saj të tretë “You & I”.
Përmes një postimi në Instagram, Rita e mori me sportivitet situatën, duke thënë: “Me sa duket, rrjedhjet ende ekzistojnë. Fatmirësisht, kjo është një këngë që e dua shumë. Kështu që shijojeni. Faleminderit atij që e ka publikuar.”
Reagimi i saj vjen pak kohë pasi ka folur hapur për jetën familjare, duke e cilësuar si një “hapje sysh” përvojën e të qenit njerkë e dy vajzave të Taika Waititit, Te Kāinga o te Hinekāhu dhe Matewa Kiritapu. Rita dhe Taika u martuan në vitin 2022, pas një lidhjeje që nisi në vitin 2021, ndërsa miqësia e tyre kishte zgjatur për rreth pesë vite përpara se të bëheshin çift.
Kënga e rrjedhur ka ngjallur interes të madh tek fansat, duke shtuar pritshmëritë për publikimin e albumit të ri të Ritës gjatë këtij viti.