Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Miliona muslimanë në mbarë botën kanë nisur muajin e shenjtë të Ramazanit, një periudhë reflektimi shpirtëror, vetëdisipline dhe solidariteti.
Ramazani fillon me shikimin e hënës së re, ndaj data e nisjes mund të ndryshojë deri në një ditë, varësisht nga vendndodhja gjeografike. Agjërimi zgjat nga agimi deri në perëndim të diellit dhe përfshin ndalimin e ushqimit, pijeve (përfshirë ujin), duhanit dhe marrëdhënieve seksuale gjatë ditës.
Nga agjërimi përjashtohen fëmijët deri në pubertet, personat e sëmurë, gratë shtatzëna ose që ushqejnë me gji, të moshuarit dhe udhëtarët. Ditët e humbura mund të kompensohen më vonë ose përmes donacioneve për personat në nevojë.
Muaji i Ramazanit bazohet në kalendarin hënor islamik, i cili ka rreth 354 ditë, rreth 11 ditë më pak se viti diellor. Për këtë arsye, Ramazani zhvendoset çdo vit dhe bie në stinë të ndryshme.
Qëllimi i këtij muaji është forcimi i vetëkontrollit, durimit dhe ndjeshmërisë ndaj të tjerëve. Ramazani përfundon me festën e Fitër Bajramit, një ditë feste dhe falënderimi që shënohet me lutje dhe tryeza tradicionale familjare.