Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Kosova ka mirëpritur propozimin e Komisioni Evropian për hapjen e negociatave me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor për t’u përfshirë në regjimin e Bashkimit Evropian “Roam Like at Home”, që synon heqjen e tarifave shtesë të roamingut.
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka konfirmuar se Kosova ka ndërmarrë përgatitjet teknike dhe ligjore për zbatimin e këtij regjimi me vendet e BE-së. Ligji i ri për komunikimet elektronike, aktualisht në fazën e finalizimit, përfshin dispozitat e acquis-it evropian për roaming, duke garantuar përputhshmëri me standardet e BE-së.
Para nisjes së negociatave dypalëshe, propozimi duhet të miratohet nga Këshilli i BE-së. Më pas, pritet të zhvillohen bisedime të veçanta me secilin shtet të rajonit.
Kosova është anëtare e BEREC, organizata e rregullatorëve evropianë të komunikimeve elektronike, çka konsiderohet hap i rëndësishëm drejt integrimit në skemën evropiane të roamingut.
Nëse marrëveshja finalizohet, qytetarët dhe bizneset do të përfitojnë nga ulja e kostos së komunikimeve telefonike dhe internetit në hapësirën e BE-së.