Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Sipas të dhënave më të fundit, në Izrael ndodhen 21 qytetarë të Kosovës, në Arabinë Saudite 331, ndërsa në Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 400 rezidentë dhe 70 turistë. Po ashtu, në Katar janë 75 qytetarë, në Kuvajt rreth 60, në Bahrein katër dhe në Oman dy qytetarë të Kosovës.
Sipas informacioneve nga misionet diplomatike, të gjithë qytetarët aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.
MPJD ka bërë të ditur se po punon në koordinim me autoritetet e shteteve përkatëse për të identifikuar dhe siguruar opsionet më të përshtatshme për evakuim, nëse kjo paraqitet si e nevojshme.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka njoftuar se kufijtë tokësorë me Omanin mbeten të hapur, ndërsa janë të disponueshme disa opsione fluturimi nga Rijadi drejt Frankfurtit dhe nga Xheda drejt Prishtinës.
Institucionet e vendeve të rajonit rekomandojnë që në këtë fazë të shmangen udhëtimet deri në qetësimin e plotë të situatës së sigurisë, duke theksuar se çdo udhëtim në rrethana të tilla bëhet me përgjegjësi individuale.
MPJD ka bërë thirrje për qetësi, ndjekje të udhëzimeve të autoriteteve lokale dhe mbajtje të kontaktit të rregullt me përfaqësitë diplomatike, duke shtuar se do të informojë rregullisht për çdo zhvillim të ri.