Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Google, Microsoft dhe xAI kanë rënë dakord të ndajnë versionet e papublikuara të modeleve të tyre të inteligjencës artificiale me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, me qëllim vlerësimin e rreziqeve për sigurinë kibernetike dhe atë kombëtare.
Nisma u bë e ditur nga Instituti Kombëtar i Standardeve dhe Teknologjisë (NIST), përmes Qendrës për Standardet dhe Inovacionin në AI (CAISI), e cila do të analizojë ndikimin e këtyre modeleve para dhe pas publikimit të tyre.
Ky bashkëpunim vjen pas shqetësimeve të shtuara nga një model i ri i avancuar i zhvilluar nga Anthropic, i cili ka ngritur alarm mbi potencialin e AI për të ndikuar në sigurinë kibernetike.
Paralelisht, edhe OpenAI ka bërë të ditur se do t’i ofrojë modelet e saj më të avancuara institucioneve qeveritare për të parandaluar kërcënimet e mundshme nga përdorimi i inteligjencës artificiale.
Ekspertët vlerësojnë se kjo qasje synon të rrisë transparencën dhe kontrollin mbi teknologjitë e reja, në një kohë kur zhvillimi i AI po ecën me ritme të shpejta dhe me ndikim të gjerë në siguri dhe ekonomi.