Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Miliona banorë në rajonet e Mesperëndimit dhe Verilindjes së Shteteve të Bashkuara po përballen me ndotje të rrezikshme të ajrit, si pasojë e tymit nga zjarret pyjore në Kanada dhe shtetin e Minesotës.
Autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për cilësinë e ajrit në disa zona të Minesotës, ku ndotja pritet të arrijë nivele të rrezikshme për të gjithë popullsinë, jo vetëm për grupet më të ndjeshme. Tymi po përhapet me shpejtësi drejt qyteteve si Milwaukee, Detroit dhe pjesëve të Pensilvanisë, ndërsa pritet të arrijë edhe në zonën e Uashingtonit.
Ekspertët paralajmërojnë se grimcat e imëta të tymit mund të shkaktojnë kollë, vështirësi në frymëmarrje, marramendje, lodhje dhe përkeqësim të sëmundjeve të zemrës dhe mushkërive. Rreziku është edhe më i madh për fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me astmë ose sëmundje kronike.
Situata është përkeqësuar edhe nga vala e të nxehtit dhe thatësira, të cilat kanë krijuar kushte ideale për përhapjen e zjarreve. Specialistët këshillojnë qytetarët të kufizojnë aktivitetet në ambient të hapur, të mbajnë maska N95 kur dalin jashtë, të mbajnë dritaret e mbyllura dhe të përdorin pastrues ose kondicionerë të ajrit për të reduktuar ekspozimin ndaj tymit.