Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Chopin Piano Fest” vjen me program shumëngjyrësh

Vendi  |  25.04.2023 Ora 10:32   

Me 15 performanca, Festivali synon të hapë kapitullin unik të muzikës klasike. Ritmet e tingujve pianistikë do të sjellin edhe figurat që për herë të parë interpretojnë në skenën e Prishtinës. Me to do ta pushtojnë kryeqytetin, ndonëse pa progres në infrastrukturë, edhe pse organizatorët e Festivalit vjet ishin siguruar se edicionin e radhës do ta mbanin në një sallë të denjë dhe me kushte

 

“Chopin Piano Fest” gjatë një muaji synon të sjellë magjinë e muzikës klasike me pianon në qendër. Edhe në edicionin e 13-të mëton të konfirmojë misionin që ka: të sjellë në skenë emra të shquar dhe interpretime me vlera. Me 15 performanca, Festivali synon të hapë kapitullin unik të muzikës klasike. Ritmet e tingujve pianistikë do të sjellin edhe figurat që për herë të parë interpretojnë në skenën e Prishtinës. Me to do ta pushtojnë kryeqytetin, ndonëse pa progres në infrastrukturë edhe pse organizatorët e Festivalit vjet ishin siguruar se edicionin e radhës do ta mbanin në një sallë të denjë dhe me kushte.
 

Nga 9 maj deri më 9 qershor, “Chopin Piano Fest” do ta mbërthejë kryeqytetin me frymën e veprave klasike. Figura të shquara do të vihen në skenën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare në kryeqytet. Hapësira që për disa edicione të Festivalit ishte kthyer në sallë koncertale, është dëshmuar kaherë si ambient me kushte jo të duhura në këtë drejtim. Numri i të interesuarve për të ndjekur koncertet shpesh ka tejkaluar atë të kapaciteteve të ulëseve, e interpretuesit deklaroheshin se pritja e publikut mbulonte edhe sfidat që u shfaqeshin gjatë performancës.

Drejtoresha artistike e “Piano Chopin Fest”, Lejla Pula, ka bërë të ditur se këtë edicion publiku do të dëgjojë artistët nga Italia, Turqia, Hungaria, Suedia, Polonia, Britania e Madhe, SHBA-ja, nga vendi dhe rajoni. “Jemi shumë të lumtur që edhe sivjet, së bashku me audiencën tonë të dashur e të respektuar të Prishtinës, do të kemi rastin t’i mirëpresim interpretimet e muzikantëve të nivelit më të lartë artistikë nga mbarë bota”, ka thënë Pula.

 

Në koncertin hapës do të interpretojnë pianisti italian Epifanio Comis dhe grupi i harqeve “Bellini Strings”. Më 13 maj në skenë do të ngjiten Klejda Tare në piano dhe Elvin Hoxha Ganiyev. Dy ditë më pas grupi “Pro Arte” bashkon forcat e rajonit me maqedonasen Marina Nikolovska në obo, Lejla Pulën në piano, Orges Malajn në bas, Ilir Kodhimën në korno, Enkelejda Zajmi-Goranin në flaut dhe Astrit Mustafën në klarinetë. Më 17 maj do të interpretojë pianistja hungareze Adrienne Hauser.

 

Programi i “Chopin Piano Fest” do të vazhdojë me koncertin e 19 majit, ku do të interpretojnë sopranoja Kaltrina Miftari, baritoni Safet Berisha, mëzo-sopranoja Ardiana Bytyqi-Ismaili, të cilët përcillen me tinguj pianoje nga Lekë Salihu dhe Andi Duraku. Si solistë do të interpretojnë pianistja Maria Lettberg më 22 maj ndërsa polaku Jakub Kuszlik tri ditë më vonë.

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncert në kuadër të Festivalit ku si solist do të paraqiten pianisti anglez Peter Donohoe me dirigjentin anglezin Robert Guy. Ngjarja do të jetë edhe si homazh për kompozitorin rus Sergei Rachmaninoff. E pianisti Donohoe do të interpretojë si solist në kuadër të edicionit të Festivalit në Tiranë në koncertin recital që organizohet në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë.
 

Nga 4 deri më 7 qershor do t’i kushtohen programit “Edu Week”, ku mes tyre edhe gara për çmimin “Chopin Piano Fest”. Koncerti i 7 qershorit do t’u kushtohet solistëve, ndërsa gjithë programin e Festivalit e përmbyll pianistja e re amerikane Avery Gagliano, e cila kishte fituar garën e Festivalit në vitin 2018.
 

Me edicionin e 13-të të Festivalit, programi i kuruar mëton të sjellë më të mirën prej mozaikut të muzikës klasike. Në 15 mbrëmje muzikore publiku është pajisur me adresën ku do të mblidhet për të dëgjuar repertorin pianistik, kamertal e orkestral.
 

“Piano Chopin Fest” ka në fokus pianon dhe ne çdoherë mundohemi të paraqesim pianon në forma të ndryshme. Ato që janë më speciale janë pjesët recitale pianistike që performohen nga artistë të ndryshëm. Profesoresha Lejla Pula vazhdimisht bën përpjekje të gjejë artistë interesant nga vende të ndryshme që të shfaqen para publikut tonë”, është shprehur drejtoresha organizative e “Chopin Piano Fest”, Besa Luzha.

Koncertet do të jepen falas për publikun. “Për të gjithë të interesuarit do të jenë vërtet mbrëmje shumë të bukura, program interesant dhe i larmishëm. Artistë që shumica prej tyre për herë të parë luajnë para publikut kosovar”, është shprehur pianistja Besa Luzha, profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.
 

Hapësira e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare është konsideruar si e pamjaftueshme për audiencën, prandaj koncerti i Filharmonisë së Kosovës do të zhvendoset në “Klan Arena”. Mungesa e një salle koncertale, sikurse në organizimet e tjera, është vënë në pah edhe gjatë edicioneve të kaluara të Festivalit.
 

“Ne jemi pak a shumë të hendikepuar në këtë aspekt, për shkak se mungesa e sallës vërtet e pamundëson shijimin e koncertit në një sallë adekuate. Por kjo sallë për nga aspekti i akustikës i plotëson diku 90 për qind të kërkesave akustike dhe të akomodimit. Presim që sa më parë të kompletohemi me infrastrukturë dhe kur kemi figura më komplekse dhe artistë të mirënjohur të ketë më shumë ulëse”, ka thënë Luzha për KOHËN. Koncertet e tjera do të mbahet në Amfiteatrin që akomodon rreth 300 persona.
 

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ishte zotuar se në një të ardhme jo të largët koncertet e “Chopin Piano Fest” do të mbaheshin në skenë më dinjitoze.
 

“’Chopin’ është gur i çmuar që shkëlqen ndër festivale të tjera në Kosovë, detyra jonë është të ndihmojmë jo vetëm financiarisht, por edhe të krijojmë hapësira për to, mirëpo organizimin fenomenal po e marr si shtysë që vitet në radhë të mos na presin duke u munduar të krijojnë hapësira, por të kemi një të tillë”, kishte thënë Rama në edicionin e vjetëm.
 

E në postimin e tij në Facebook kishte shkruar se kjo do të ndodhte në edicionin e sivjetmë. “Mezi po e presim edicionin e radhës, të cilin do të sigurohemi ta mbajmë në një sallë adekuate e në kushte të denja, ashtu siç edhe e meriton një festival i tillë!”, kishte shkruar Rama vitin e kaluar në rrjete sociale.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing