Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Afër 100 mijë të rinj në Kosovë, as në shkollë, as në trajnim e as në punë

Vendi  |  26.04.2023 Ora 8:21   

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se afër 100 mijë të rinj të moshës 15 deri në 24 vjeç nuk ndjekin as shkollim, as ndonjë trajnim dhe nuk janë të punësuar.

Të dhënat për tremujorin e parë të vitit 2022 kanë treguar, po ashtu, se nga mbi 1.2 milion qytetarë në moshë pune, mbi 380 mijë janë të punësuar, mbi 77 mijë janë të papunë dhe rreth 750 mijë janë ekonomikisht joaktivë – që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë në Kosovë në tremujorin e parë të 2022-shit ka qenë 16.6 për qind.

Papunësia, afër 17 për qind

Kosova, ndër vite, ka pasur shkallë të lartë të papunësisë. Në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat mbulojnë tremujorin e parë të vitit 2022, papunësia llogaritet të jetë 16.6 për qind. Më e larta është shifra e qytetarëve ekonomikisht joaktivë.

Sipas ASK-së, këta persona nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë, as nuk kërkojnë punë.

Rrezik nga problemet sociale

Artan Krasniqi, sociolog në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se shifrat e të rinjve, të cilët nuk punojnë, nuk janë në proces arsimor dhe nuk ndjekin ndonjë trajnim, janë shqetësuese.

“Edhe shteti, edhe shoqëria janë mjaftuar me faktin që Kosova e ka potencialin më të madh rininë dhe sikur është menduar që ky potencial vetëkanalizohet… Ka pasur fare pak politika dhe programe që e ndihmojnë këtë potencial të arrijë në nivele më të larta”, thotë Krasniqi.

Kosova ka popullsi të re, me një moshë mesatare 35 vjeç.

Sociologu Krasniqi thotë se nëse për këta të rinj, nuk krijohen politika të duhura, qoftë të punësimit, trajnimit apo shkollimit, mund të ketë probleme sociale në të ardhmen.

“Së pari mbesin barrë e shoqërisë, familjes dhe më vonë e shtetit. Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që këta të rinj ta kërkojnë rrugën e migrimit”, thotë Krasniqi.

Trendi i emigrimit të qytetarëve kosovarë, sipas shifrave zyrtare, është në rritje.

Sipas ASK-së, në vitin 2021 nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë. Në vitin 2020 – kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit – nga Kosova kanë emigruar mbi 8.000 veta; më 2019 mbi 34.000; më 2018 mbi 28.000.

Profesori i shkencave sociale në Universitetin e Prishtinës, Behxhet Gaxhiqi, thotë se edhe sikur numri i të rinjve që nuk ndjekin shkollim, trajnim apo nuk janë në punë, të jetë 10.000, është shqetësuese, e lëre më afër 100 mijë.

Ai thotë se institucionet qendrore dhe lokale duhet të hartojnë politika për ofrimin e trajnimeve, së paku.

“Kjo moshë e popullsisë është pjesa më vitale e shoqërisë dhe nuk duhet lejuar të mbetet në këtë gjendje. E ardhmja e këtyre të rinjve mund të jetë e paperspektivë dhe si të tillë mund të përfundojnë në skemat sociale të Qeverisë me mjete minimale për jetesë”, thotë Gaxhiqi për Radion Evropa e Lirë.

Kosova, me mbi 1.7 milion banorë, ka 15 skema sociale e pensionale, nga të cilat përfitojnë mbi 400 mijë qytetarë.

Përveç qytetarëve të papunë dhe me vështirësi ekonomike, nga skemat sociale përfitojnë edhe familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës, pensionistë të moshës etj.

Mbi 22 mijë familje në asistencë sociale

Kosova, me mbi 1.7 milion banorë, ka 15 skema sociale e pensionale. Në mesin e tyre hyn edhe asistenca sociale për familjet e varfra.

Çfarë thonë ekspertët e ekonomisë?

“Arsyeja që Kosova ka këtë numër të të rinjve që nuk janë as në shkollim, as në trajnim dhe as të punësuar, qëndron tek edukimi dhe trajnimet që ofrohen. Ato nuk janë cilësore dhe në harmoni me tregun e punës”, thotë eksperti i çështjeve ekonomike, Ismet Mulaj, njëherësh ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë.

Tregu i punës në Kosovë, shton ai, ka nevojë për kuzhinierë, kamerierë, punëtorë në sektorin e prodhimit dhe atë të drurit.

“Këto trajnime profesionale duhet t’iu ofrohen këtyre të rinjve, në mënyrë që ata ta gjejnë veten në Kosovë. Të rinjtë tanë janë të dekurajuar për të kërkuar punë, për t’u punësuar apo për të ndjekur ndonjë trajnim”, thotë Mulaj.

Viteve të fundit, tregu i Kosovës është përballur me mungesa punëtorësh – sidomos sektori privat.

Sipas disa anketave që ka realizuar Radio Evropa e Lirë, por edhe të dhënave të Inspektoratit të Punës, qytetarët janë ankuar për paga të ulëta, mosrespektim të orarit të punës, privim nga pushimi etj.

Për rrjedhojë, shumë punëdhënës kanë marrë punëtorë nga jashtë.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing