Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Malli pa afat në markete në fund u faturohet punëtorëve

Vendi  |  29.05.2023 Ora 10:24   

Arkëtarët e marketeve në Kosovë, shpeshherë dënohen me pagë nga punëdhënësi, për shkak se në rafte u gjendet mall pa afat. Këtë e konfirmon Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës. Ndërkohë, përfaqësuesit e bizneseve fajësojnë punëtorët, derisa thonë se pronarët nuk janë të interesuar që të shesin produkt me afat të skaduar.

 

Padrejtësitë me të cilat përballen punëtorët e sektorit privat, e në veçanti ata që punojnë në rrjetin e marketeve në Kosovë janë të shumta. Përveç pagës së ulët dhe orarit të stërzgjatur, ata shpeshherë dënohen në pagë, nga punëdhënësi. Ndonëse nuk flasin hapur para mikrofonit, disa nga ta i thanë Radio Kosovës se janë dënuar në pagë për shkak të mallit pa afat në rafte.
 

Albulena, shitëse në një nga marketet e mëdha në Prishtinë, tha se dy herë është dënuar në pagë, për këtë arsye.
 

E këtë e pohojnë edhe përfaqësues nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës. Kryetari Jusuf Azemi duke folur për Radio Kosovën thotë se punëtorët shitës kryesisht në arkë janë femra. Ai thotë se nga to ka marrë konfirmim se mallin e prishur e faturojnë dhe në fund u ndalet nga paga e tyre.
 

“Në markete kryesisht punësojnë gjininë femërore, dhe kur i pyeta për mallin që prishet  në periudha të caktuara, ato deklaruan se këtë mall e faturojnë dhe atë mall duhet ta paguajnë punëtorët. Në një mënyrë nëse kemi një prishje të mallit brenda një objekti 500 euro, dhe ai 500 euro përpjesëtohet me numër të punëtorëve që janë, dhe këtë mall e paguajnë punëtorët. A ka krim më të madh se pronari i kompanisë nga puna e merr fitimin e pastër, e nëse ndodh diçka, atë humbje duhet ta paguajnë punëtorët gjë që edhe ashtu në markete e kanë një pagë mesatare diku 230-250 euro”, tha Azemi.
 

Por, në mbrojte të bizneseve është  përfaqësuesi i tyre, Agim Shahini. Duke folur për Radio Kosovën kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë se kontrata parasheh që punëtori të mos jetë vetëm në pikën e shitjes, por edhe të kontrollojë mallin para skadencës. Ai thotë se për shkak të papërgjegjshmërisë së punëtorëve, dënohet punëdhënësi nga institucionet përkatëse.
 

 “Në kontratë shkruan se në vend të punës ai apo ajo duhet t’i përcjellë edhe produktet me afat paraskadimit, dhe nuk ka pronar të biznesit që produktet e veta t’i mban në pikën e shitjes me afat të skaduar, por për shkak të  punëtorëve të papërgjegjshëm ata bien ndesh me ligjin dhe dënohen. Kjo, është një kundërpërgjigje e asaj që punëtorët nuk duhet të shkojnë vetëm të shesin, por edhe të përcjellin edhe afatet e skadimit dhe në raste se ato janë me një afat më të shkurtër, ato duhet të largohen apo të shiten me aksione”, tha Shahini.
 

Përfaqësues të bizneseve theksojnë se punëtorët duhet të jenë të vëmendshëm  dhe të respektojnë kontratën të cilën e nënshkruajnë, për t’i shmangur pakënaqësitë që mund të krijohen./rtk/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing