Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

12 qershori të hyjë në festat zyrtare dhe të shënohet si Dita e Çlirimit

Vendi  |  12.06.2023 Ora 10:24   

24 vjet më parë, në mbrëmjen e 9 qershorit 1999, në Kumanovë, u nënshkrua Marrëveshja Teknike- Ushtarake. Më pas, më 12 qershor, trupat e NATO kishin hyrë në Kosovë, pas 78-ditëve të bombardimeve ajrore kundër caqeve ushtarake serbe në ish-Jugosllavi.

 

Ishin këto ditët kur forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe, kishin intensifikuar sulmet ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë, duke vrarë, dhunuar e dëbuar me dhjetëra mijëra shqiptarë. Në Kosovë po kryhej spastrim etnik. Po ndodhte gjenocid ndaj shqiptarëve. 24 vjet pas, kosovarët festojnë 12 qershorin si Ditën e Çlirimit, datë kjo që aktualisht hyn te ditët memoriale.

Në ditën e 78-të të sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake dhe objekteve strategjike të Serbisë, më 9 qershor të vitit 1999, në Kumanovë u nënshkrua Marrëveshja Teknike- Ushtarake. Millosheviqi dhe qeveria e tij, pranuan kapitullimin në Kosovë. Ish-sekretari gjeneral i NATO-s, Javier Solana, me këtë rast pati deklaruar se “NATO do të suspendojë sulmet ajrore sa më shpejt, që të verifikohet respektimi i armëpushimit dhe fillimi i tërheqjes së forcave ushtarake serbe”.

Kështu mbaroi një luftë, e cila ishte e drejtuar kundër vlerave perëndimore dhe civilizimit evropian. Për t’u përballur me situatën e pas tërheqjes së trupave ushtarake, policore dhe paraushtarake serbe nga Kosova, ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, arritën pëlqimin dhe i dhanë dritën e gjelbër trupave paqësore ndërkombëtare, KFOR. Më 10 qershor 1999, Këshilli i Sigurimit i OKB-së aprovoi dërgimin e trupave të KFOR-it në Kosovë, dhe ngarkoi e OKB-në, përmes Rezolutës 12-44, me ndërtimin e administratës së përkohshme vendore. Më 12 qershor, filloi marshimi i trupave paqësore ndërkombëtare në Kosovë.

Ushtarët e Aleancës së NATO-s, ashtu si dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u pritën nga qytetarët shqiptarë të Kosovës si çlirimtarë; me duartrokitje, buqeta lulesh, përqafime e lot gëzimi e shprese në sy.

Hyrja e NATO-s në Kosovë, më 12 qershor, mundësoi kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve. Refugjatët shqiptarë të Kosovës, të strehuar në Shqipëri, si dhe ata në Maqedoni, s’mund t’i ndalte asgjë, as vërejtjet për rreziqet nga fushat e minuara përgjatë brezit kufitar, për t’u kthyer sa më parë në shtëpitë e tyre, prej nga i kishte dëbuar dhuna serbe. Ata u kthyen në Kosovën e lirë.

Sot mbushen plot 24 vjet nga përfundimi i luftës së Kosovës, ku iu dha fund masakrave dhe gjenocidit serb mbi qytetarët e pafajshëm. Dita e Çlirimit të Kosovës shënoi kthesën më të madhe në histori. Më 12 qershor të vitit 1999 në Kosovë hynë rreth 50 mijë trupa të KFOR-it, nga 39 kombe të ndryshme të botës, të cilat ua rikthyen kosovarëve shpresën.

Presidenti amerikan, Bill Clinton, drejtonte Shtëpinë e Bardhë kur nisën  sulmet ajrore të forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi. Në vizitën e tij të parë në Kosovë, Clinton, iu drejtua fëmijëve në Ferizaj, duke iu thënë se nuk mund ta harrojnë asnjëherë padrejtësinë që u është bërë.

“Askush nuk mund t’ju detyrojë të harroni ato që ju ka ndodhur juve. Por, duhet të bëni përpjekje. Në të gjithë botën, jo vetëm në Kosovë, fëmijët janë ata që i ndjekin dhe i vuajnë pasojat e prindërve të tyre. Po ju tregoj se jeta është shumë e rëndësishme dhe më e madhe se këto tmerre që i keni përjetuar. E ardhmja ka ruajtur për ju buzëqeshjen, lumturinë, gëzimin.. Millosheviq deshi të mbajë nën kontroll Kosovën, duke iu nxjerrë të gjithëve nga këtu, mirëpo ne i thamë jo.”

Sekretarja amerikane e shtetit, Medline Olbrajt, po në atë vizitë së bashku me presidentin Klinton, iu pat dhënë shpresë fëmijëve se ata do të ndërtojnë të ardhmen e tyre të lirë e të pavarur.

 “Kur ju shikoj juve të gjithë fëmijëve këtu, unë e shoh ardhmërinë e Kosovës. Fëmijët e Kosovës kanë shumë gjëra për të na mësuar dhe për t’ia mësuar botës mbi guximin përballë persekutimit pas tragjedisë që përjetuat. Ju keni një mësim për të gjithë ne, që do të na mësoni për vendosmërinë, përpjekjen për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe shtëpitë ku keni jetuar me shekuj.”

Përvjetori i Ditës së Çlirimit në Kosovë, kujton te qytetarët triumfin ndaj agresorit, por edhe rikthimin e mijërave kosovarëve në shtëpitë e tyre.

Lufta në Kosovë kishte nis shumë më herët. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte forca që po përpiqej përgjatë vitit 1998 dhe fillimin e '99-ës t'i dalë në mbrojtje popullatës civile, që po vritej e po masakrohej çdo ditë nga ushtria, policia e paramilitarët serbë, nën udhëheqjen e Sllobodan Millisheviqit.

Profesori universitar, historiani Ibrahim Gashi, thotë se 12 qershori paraqet epilogun e një përpjekjeje të gjatë një shekullore të shqiptarëve të Kosovës për çlirim.

 “Ishte përmbyllje me sukses e një procesi të gjatë të sakrificës, përpjekjeve e lëvizjeve, kryengritjeve dhe veprimeve politike, ilegale e legale, përgjatë shekullit të 20-të, që u përmbyll në vitin e fundit në përmbyllje të shekullit me një triumf të këtyre lëvizjeve.”

Gashi tha se kjo datë paraqet edhe një hapje të një perspektive për të ardhmen e popullit të Kosovës drejt krijimit të një identiteti të ri politik shtetëror.

 “Marrëveshja e Kumanovës, shënoi fillimin e një periudhe të një administrimi ndërkombëtar të Kosovës. Megjithatë, në Rambuje u ngrit çështja e statusit, çështja e një referendumi pas një periudhe. Pastaj gjatë periudhës së veprimit të rezolutës 12-44, sikur dihej se ky administrim do të jetë i përkohshëm. Pas ngjarjeve të vitit 2004, procesi i definimit të statusit filloi të dinamizohet, ku pas viti 2006, filloi procesi negociator ndërmjet Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin ndërkombëtar, u hap shtegu që të gjendet një zgjidhje juridike e pranueshme ndërkombëtarisht për ta shpallur pavarësinë e Kosovës.”

Profesori Gashi, theksoi se ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, i parapriu një lufte e ashpër ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, derisa paraqiti një trajektore historike të lëvizjes kombëtare të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi.

 “Ajo nis shumë herët, në forma të ndryshme, ku pas 1913 ne mbetemi jashtë kufijve të shtetit shqiptar, pati lëvizje kundërshtuese, pati dhunë e terror dhe shpërngulje masive të shqiptarëve. Më vonë në Kosovë filluan lëvizje të tjera. Ndërsa, në fillim të viteve të ’90-ta, kur Jugosllavia po hynte në procesin e shpërbërjes së saj, nacionalizmi serb u shpërfaq në mënyrën e tij më të ashpër. Në Kosovë filloi një lëvizje politike paqësore nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës. Kjo lëvizje e pati efektin e vet, ku e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës dhe krijoi një vetëdije politike për një shtet të pavarur. Faza tjetër që i dha jetë kësaj ideje për shtet të pavarur, ishte lufta çlirimtare, që mori epilog më 12 qershor.”

Historiani Shkodran Imeraj, tha se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, është ndër ngjarjet më të mëdha të historisë më të re të shqiptarëve.

 “Pas viti 1912, ku tokat shqiptare ndahen padrejtësisht nga trungu i shtetit amë, shqiptarët në vazhdimësi për gati një shekull kanë bërë përpjekje dhe luftëra të vazhdueshme për çlirim të Kosovës. Natyrisht, që pjesa më e madhe e lëvizjeve që janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe, kanë pasur një ideal, pra çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Por, periudha e viteve të ’90-ta, ishte ndër periudhat më të rëndësishme të historisë sonë më të re, ngase aty u sensibilizua dhe u ndërtua ideja për shtetësinë e Kosovës. Si rezultat i kësaj, kemi luftën e lavdishme të UÇK-së, e cila gjatë viti 1998-99, ishte një nga luftërat më të rëndësishme, që e zhvilloi populli shqiptar i Kosovës. Kjo mori edhe përkrahjen e NATO-s dhe si pasojë e kësaj ne e kemi çlirimin e Kosovës më 12 qershor 1999.”

Megjithatë, në kalendarin e festave të shtetit tonë, kjo ditë shënohet memorial si Dita e Paqes. Ende nuk ka një datë unike, e cila do të festohej si ditë e çlirimit të Kosovës. Edhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë kërkuar që 12 qershori të shënohet si Ditë e Çlirimit e jo e Paqes.

Profesori universitar, Ibrahim Gashi, tha se kjo ditë do të duhej të shënohej si Ditë e Çlirimit të Kosovës.

 “Do të duhej të kthehej në Ditë të Çlirimit. Vazhdojmë të kemi kufizime, që gjërat t’i quajmë me emër të vërtetë, për shkak të reagimeve që ka pasur komuniteti serb dhe Pakoja e Ahtisarit i ka determinuar shumë terminologjitë se si të quhen. Por, për shqiptarët e Kosovës, që ishin objekt i një politike gjenocidiale e që ishin në prag të zhdukjes, kjo është një datë e çlirimit.”

Gjithashtu, edhe historiani Imeraj, thotë se në datat kryesore të historisë së kombit shqiptar, 12 qershori duhet të zë një vend meritor,  të hyjë te festat zyrtare duke u quajtur si Dita e Çlirimit të Kosovës.

 “12 qershori i viti 1999 është ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë më të re, ngase ajo në vete është kulmi i aspiratave tona shekullore për liri e pavarësi dhe çlirim kombëtar. 12 qershori është dashur që të jetë festë e Kosovës dhe të jetë pjesë në kalendarin e festave zyrtare dhe të jetë një ditë pushimi, ku të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës të organizojnë ceremoni përkujtimore, ashtu si shumica e vendeve të botës.”

Kjo ditë, në komuna të ndryshme të Kosovës festohet në data të ndryshme. 24 vjet më parë, pushtuesit serbë u detyruan të nënshkruajnë  marrëveshjen më 9 qershor 1999 në Kumanovë. Atë e nënshkruan Mike Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid në Kosovë.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore. Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Më 17 shkurt të vitit 2008 gati dhjetë vjet pas zbarkimit të NATO-s, Kosova ka shpallur pavarësinë e saj. Tani Kosova ka edhe ushtrinë e saj, Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Trupat e NATO-s vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë./rtk/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing