Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Plani i ri i veprimit i bën të gjitha shkollat e Prishtinës me kamera sigurie

Vendi  |  03.07.2023 Ora 8:21   

Qeramika nuk gjendet në vendin e saj, e madje nuk dihet as kush e ka thyer, pasi në shkollën fillore “Filip Shiroka” në fshatin Slivovë, nuk ka kamera të sigurisë e as rojtarë që do të ishte përkujdesur për mirëqenien e këtij institucioni arsimor.

Mirëpo, kjo gjendje nuk do të jetë edhe gjatë, pasi Drejtoria Komunale e Arsimit, me planin e ri të veprimit, do të vendosë kamera sigurie në çdo shkollë në kryeqytet.

Kështu ka bërë të ditur gjatë ditës së hënë drejtoresha e Arsimit, Besianë Musmurati.

“Ju njoftojmë se kryeqyteti do të vendosë kamera të sigurisë në secilin institucion edukativo-arsimor në Prishtinë, e po ashtu aty ku nuk ka, do të vendosen sistemet e sigurimit dhe shkollat do të pajisen me pako të ndihmës së parë. Të gjithë nxënësit do të pajisen me uniforma, do të krijohet një kod etik për çdo IEAA dhe po ashtu do të krijohet një rregullore për përdorim të telefonave nga nxënësit e mësimdhënësit. Në institucionet edukativo-arsimore nuk do të mungojë prezenca e policisë. Këto janë disa nga veprimet të cilat do t’i ndërmarrë Drejtoria e Arsimit për të ofruar siguri në shkolla”, ka thënë Musmurati.

Vendosjen e kamerave të sigurisë e mirëpriti drejtori i “Filip Shirokës”, Jakup Ramadani.

“Ky është një hap shumë i mirë dhe i qëlluar nëse bëhet, pa marrë parasysh a është në qytet apo më në periferi. Ju e dini vetë para dy muajve me rastin e epruvetave me gjak që janë hedhur në afërsi të shkollës. Unë kam bërë kërkesa në Drejtorinë e Arsimit. Fatkeqësisht shkollat nëpër fshatra nuk kanë rojtarë dhe pas përfundimit të mësimit shkolla është në mëshirën e kohës. Unë vetë këtu në oborrin e shkollës kam hasur edhe zjarre të ndezura. Sepse këtu mund të hyjë dhe të dalë kush të dojë”, ka thënë Ramadani.

Përveç aspektit të sigurisë në ambientet e brendshme të objektit, në prezantimin e planit të veprimit u diskutua edhe për sigurinë e nxënësve jashtë shkollave.

“Çështja e transportit të fëmijëve në shkolla në të ardhmen duhet të punohet dhe të përmirësohet, me një rregullore të veçantë të kryeqytetit. Pastaj ne do të mund të inspektonim nëse të njëjtit po u përmbahen rregullave. Unë mendoj që kjo gjë mund të rregullohet edhe me transport publik. Kjo do të ndihmonte edhe në eliminimin e komunikacionit në kryeqytet dhe fluksin e madh të veturave që parkohen para shkollave në fillim ose mbarim të mësimit e që edhe vetë shkaktojnë rrezik për nxënësit që kalojnë andej. Ne e dimë që kemi nxënës që vijnë nga lagje të tjera të Prishtinës dhe i sjellin fëmijët në shkollat e qendrës dhe pastaj prindërit ose transportuesit detyrohen t’i dërgojnë në shkollë. Nga kjo ne kemi një numër të madh ankesash si inspektorat”, ka deklaruar drejtori i Inspektoratit, Florian Dushi.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, ka thënë se në reformimin e transportit publik është edhe transporti i nxënësve.

“Një prej pikave kryesor të reformimit të transportit publik është edhe transporti i nxënësve. Në kushte normale një gjë e tillë nuk është dashur që fare të diskutohet për arsye se në vazhdimësi është dashur që të ketë kontroll sa i përket transportit të nxënësve. Diçka e tillë nuk ka ndodh. Vetë ky plan i veprimit tregon që nuk ka gjëra normale dhe gjendja që ne e kemi trashëguar nuk ka qenë aspak e mirë. Nuk ka qenë e lehtë sepse ka qenë një koordinim i shumë drejtorive dhe në kohë rekord të ndërmerren hapa”, është shprehur Musliu.

Në planin e veprimit janë të përfshirë edhe vetë nxënësit, të cilët po ashtu kanë mbajtur fushatë vetëdijesese “Çohu kundër dhunës”.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing