Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Festën e fillimit të vitit shkollor sivjet e zbeh mungesa e librave

Vendi  |  28.08.2023 Ora 8:45   

1 Shtatori edhe sivjet do të shënohet me probleme në sistemin parauniversitar. Është ky viti i tretë që kjo datë nuk ka qenë festë e plotë për nxënësit. Ishte njëherë pandemia e pastaj grevat e mësimdhënësve. Në vitin e ri shkollor 2023/2024 telashet janë me furnizimin e nxënësve me tekste shkollore.
 

Sivjet pas 15 vjetësh, prindërit do të jenë përgjegjës për blerjen e teksteve shkollore pasi t’i kenë pranuar mjetet nga shteti, meqë Ministria e Arsimit dështoi të arrijë marrëveshje me shtëpitë botuese për blerjen e librave.

Kjo situatë e krijuar, sipas kryesindikalistit të mësimdhënësve, Rrahman Jasharaj, do ta zbehë festën e 1 shtatorit. Ai ka thënë se nisja e procesit mësimor do të karakterizohet edhe këtë vit me telashe.

 

“Do të kemi nxënës që nuk janë të furnizuar me tekstet shkollore. Do të kemi mësimdhënës që do të ballafaqohen me një sfidë të re, të cilët do të jenë në hall a të fillojnë me zhvillimin e njësive të reja që kërkohen nga planprogrami për këtë vit shkollor, apo të presin gjersa e tërë klasa të furnizohet me tekste shkollore”, ka thënë Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

 

Fillimi i procesit mësimor, gjatë vitit të kaluar u pengua nga mësimdhënësit e Sindikatës, pasi mbajtën 1 muaj e 1 javë grevë, me kërkesën për rritje të pagave. Kjo gjë nuk do të përsëritet sivjet, sipas Jasharaj.

“Jam i lumtur pasi sivjet nuk ka kërkesë nga anëtarësia që të merret ndonjë veprim sindikal. Por jemi të shqetësuar që për shkak të Ministrisë sërish mësimdhënësit janë të vendosur para një situate jo të mirë. Ata të cilët vazhdojnë të mbajnë mësimin me shkumës e tabelë të zezë, tani do të përballen edhe me mungesë të librave”, ka thënë ai.

 

Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se të hënën do të mbajë një takim me anëtarët dhe Kryesinë për të diskutuar për problemet e fillimit të vitit shkollor. Sindikalistët presin që nga kjo mbledhje të kenë një pasqyrë të qartë me të gjitha problemet që do të ballafaqohen me nisjen e procesit mësimor.
 

“Presim të marrim informata nga të gjithë, për çdo shkollë e qytetet dhe në bazë të saj të shohim se si mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin”, ka thënë kryesindikalisti i mësimdhënësve.
 

Goditje në festën e 1 shtatorit i pati dhënë edhe pandemia COVID-19. Fillimi i vitit shkollor 2020/2021 u shty për dy javë, por edhe pas kësaj nxënësit arritën vetëm virtualisht të takohen me mësimdhënësit dhe shokët e shoqet e tyre. I njëjti skenar e karakterizoi edhe vitin 2021/2022. Pas përkeqësimit të situatës me pandeminë në atë periudhë, Qeveria e Kosovës pati vendosur që procesi mësimor të shtyhet deri më 13 shtator.
 

Për mësimdhënësen e ciklit të ulët në shkollën “Dardania” në kryeqytet, Vjolla Ramabaja, është e nevojshme që të ruhet rëndësia e 1 shtatorit për nxënësit, që kjo ditë të festohet nga ta, e të mbetet në kujtimet e tyre gjithmonë si periudhë kur pushimet e verës përfundojnë.
 

“Nxënësi duhet ta shijojë 1 shtatorit dhe ta kujtojë gjithmonë këtë ditë si periudhë të gëzueshme dhe jo të mbajë në mend sesi atë vit kanë pasur probleme me tekste apo si lajm që është shty fillimi i vitit shkollor”, ka thënë mësuesja e nxënësve në klasën e dytë në shkollën “Dardania”
 

Mosfurnizimi me kohë i gjithë nxënësve me tekste shkollore do të shkaktojë probleme në procesin mësimor, pasi, sipas mësimdhënëses në shkollën “Dardania” në kryeqytet, libri vazhdon të jetë burimi kryesor për mësimdhënie në sistemin arsimor në vend.
 

“Normalisht libri është mjeti bazë përveç librit ka edhe mjete të tjera me të cilat zhvillohet procesi mësimor, por për një fëmijë i cili është prej moshës gjashtë deri 11 vjeç ashtu siç i kemi ne ciklin e ultë, atëherë është e domosdoshme që me pas librin si mjet bazë”, ka thënë Ramabaja, e cila shtoi se mungesa e teksteve shkollore, posaçërisht librat për ushtrime, do të limitojnë fitimin e njohurive te nxënësit.
 

“Kjo pjesë është pak e vështirë se në qoftë se secili nxënës nuk e ka librin përpara do të mbetet i mangët në informatë ose i mangët në plotësim, mirëpo duhet me shikuar ose me ia printuar ato pjesë të cilat i kanë me shkrim”, ka thënë ajo.
 

Sivjet me tekste të reja shkollore do të furnizohen nxënësit nga klasa e parë deri në të pestë, ndërsa ata të nivelit të mesëm të ulët do të funksionojnë me libra të gjeneratës së kaluar. 80 euro është shuma që ka ndarë Ministria për një nxënës, ku 50 euro janë paraparë për libra, e 30 për mjete shkollore.
 

Rreth 50 euro kushtojnë librat për nxënësit në klasën e parë, bazuar në çmimet në katalogët që i kanë publikuar shtëpitë botuese. Ndërsa për një nxënës në nivelin e pestë, kostoja e teksteve shkollore arrin deri në 60 euro. Në këto kalkulime nuk përfshihen tekstet e lëndës së gjuhës angleze, pasi nuk botohen nga shtëpitë botuese në vend. E, çmimi për një libër për nxënësit në gjuhën boshnjake dhe turke, variojnë nga 7 euro deri në 15 euro.
 

Edhe udhëheqësit e drejtorive të Arsimit janë skeptikë që dita e premte do të nisë mbarë. Remzi Bajselmani, drejtor në Suharekë, ka thënë se i kanë bërë përgatitjet për shkak të problemeve logjistike që do të shfaqen përgjatë procesit.
 

“Mësimdhënësit do të shkojnë në shkollë më 1 shtator, nxënësve prej 1-5 do t'ua shkruajnë me një fletore, ata do të thonë që të shkojnë t'i blejnë këto tekste mësimore. Sa mund të furnizohen libraritë me këto tekste edhe aty jam skeptikë, sepse edhe për ata është vonë dhe kështu do të rrjedhë procedura”, ka thënë ai.
 

Dhjetë ditë para nisjes së procesit mësimor, Ministria e Arsimit njoftoi se ka dështuar tenderi negociues me shtëpitë botuese, duke i akuzuar ato për ofertim të çmimit shumë më të lartë se 4,5 milionë sa ishte e paraparë për këtë tender.
 

Ministria gjatë javës nuk ka treguar se sa është numri total i nxënësve që do të përfitojnë nga shuma 80 euro. Por sipas të dhënave të lindjeve në Agjencinë e Kosovës për Statistika, janë diku rreth 110 mijë nxënës në nivelin fillor, ku Ministrisë subvencionimi do t’i kushtojë rreth 8,5 milionë euro.
 

Dy ditë pas hapjes së aplikimit nga Ministria e Arsimit për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore, KOHA ka raportuar për mangësi në planifikimin e kësaj platforme. Prindër të fëmijëve të regjistruar në klasë të parë e që ende nuk i kanë mbushur 6 vjet dhe ata të atyre që janë në klasë të pestë, por mbi 11 vjeç, nuk mundën ta bëjnë aplikimin shkaku i kufizimit të moshës.
 

Praktika e shpërndarjes së librave falas nga Ministria e Arsimit për shkollat ka filluar që nga vitit 2008. Sipas Udhëzimit Administrativ, të publikuar në vitin 2016, për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore ky obligim i takon Ministrisë.
 

“MASHTI ka obligim që të bëjë pajisjen e nxënësve të arsimit të obliguar me tekste shkollore”, shkruan në nenin 2 të Udhëzimit, ku parashihen obligimet për MASHTI-in.
 

Deri në vitin 2021, Ministria e Arsimit ka përzgjedhur nga një shtëpi botuese për secilën lëndë dhe ato i ka shpërndarë në institucionet arsimore. Qe dy vjet, duke u thirrur në luftim të monopolit, Ministria ka vendosur që për secilën lëndë të ketë më shumë se një shtëpi botuese, e pastaj mësimdhënësit të vendosin se me cilën libër dëshirojnë të punojnë. E pastaj, Ministria ka pasur për obligim që të nënshkruajë tenderin me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me tekste./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing