Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj bashkë me koordinatorin për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri, dhe kryetarin e Kuvendit të Sindikatës së Arsimit Parauniversitar për Prishtinën, Ahmet Pllana, janë takuar me kryetarin e kryeqytetit të Kosovës, Përparim Rama, dhe shefin e kabinetit, Vllaznim Osmani.

 

Përmes një njoftimi për medie, bëhet e ditur se kryetari i SBASHK-ut, Jasharaj, ka përgëzuar kryetarin e Prishtinës për gjithë angazhimet në shërbim të qytetarëve dhe për bashkëpunimin e tij e të Drejtorisë së Arsimit me SBASHK-un në përpjekjet e përbashkëta në shërbim të arsimit dhe të realizimit të kërkesave të anëtarësisë.

“Kryetari i SBASHK-ut ka deklaruar se kemi pasur pritje se ky vit shkollor do të fillojë mbarë, por vendimi i gabuar i MASHTI-t lidhur me tekstet shkollore krijoi probleme të theksuara gjatë gjithë muajit shtator, ngase furnizimi me tekste shkollore, pa fajin e prindërve, mësimdhënësve e nxënësve, ka ndodhur me një ritëm shumë të ngadalshëm. Koordinatori për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri, i ka treguar kryetarit Rama për shumë nga aktivitetet e SBASHK-ut në shërbim të anëtarësisë dhe të ngritjes së vazhdueshme të cilësisë. Ai pastaj ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar me dialogun e sinqertë dhe bashkëpunimin e përbashkët në shërbim të arsimit në kryeqytet”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se kryetari i Kuvendit të Sindikatës së Arsimit Parauniversitar për Prishtinën, Ahmet Pllana, është shprehur se bashkëpunimi me DKA-në e Prishtinës është në nivel dhe se kështu do të vazhdohet edhe në të ardhmen, sepse kur ka dialog e bashkëpunim të sinqertë, atëherë nuk mungojnë as angazhimet e përbashkëta e të suksesshme për të realizuar misionin e shenjtë për arsimimin dhe edukimin e brezave.

Ndërkaq, nga ana e tij, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur respekt për angazhimet e SBASHK-ut si zë i fuqishëm i punëtorëve arsimorë dhe ka treguar për gatishmërinë e tij e të gjithë institucioneve komunale për të vazhduar me bashkëpunimin dhe angazhimet e përbashkëta në shërbim të arsimit./rtk/