Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Farmacistët në Prishtinë kërkojnë ndryshim të orarit për kujdestaritë

Vendi  |  20.11.2023 Ora 8:22   

Farmacistët e mbi 30 barnatoreve të kryeqytetit protestuan të dielën, duke kërkuar ndryshim të rregullores për orarin e kujdestarisë. Kërkesat e tyre janë që të punohet deri në mesnatë e të dielën të jenë 50 barnatore kujdestare, jo 10 sa i parasheh rregullorja. Në Drejtori të Shëndetësisë pranuan se ka ankesa edhe nga qytetarët, dhe lanë të hapur mundësinë e ndryshimit të rregullores.

Mbi 30 pronarë të barnatoreve të kryeqytetit kanë protestuar të dielën, me kërkesën për ndryshim të rregullores për orarin e kujdestarisë.

Një muaj më parë Komuna e Prishtinës përmes një rregulloreje vendosi që çdo javë, nga e hëna deri të shtunën, të kujdestarojnë pesë barnatore, ndërsa të dielën dhe gjatë festave – 10.

E kërkesat e farmacistëve janë që të punohet çdo ditë deri në mesnatë dhe të dielën të jenë 50 barnatore kujdestare.

“Protesta jonë është thjesht t’i sensibilizojmë qytetarët, ta shohin ata që ne nuk po duam t’i mbyllim. Me dhunë na kanë mbyllë, nuk është dëshirë e farmacistëve të qëndrojnë në punë e mos t’iu shërbejnë qytetarëve. Ne jemi për qytetarët dhe për qytetarët punojmë”, ka thënë Arbnor Alidemaj, farmacist.

Sipas tyre, protesta do të vazhdojë deri në ndryshim të rregullores, pasi, siç thanë, është padrejtësi për qytetarët dhe për vetë bizneset farmaceutike.

Izet Sadiku, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, tha se jo të gjitha barnatoret po e zbatojnë rregulloren. Paralajmëroi mundësinë e ndryshimit të saj.

“Realisht ne po shohim, tash i bën një muaj dhe do ta fillojmë një grup punues ta bëjmë, që të bëjmë analizën se si ka rrjedhur puna me orarin e kujdestarive. Pastaj të marrim krejt shqetësimet, qoftë një barnatore që ka, qoftë qytetarët dhe këto t’i adresojmë dhe shohim se cila është forma më e mirë që të bëjmë ndryshimet e kësaj rregulloreje”, ka thënë Sadiku.

Për rregulloren e kujdestarive të barnatoreve ankesa ka edhe te qytetarët. Shumë prej tyre thanë se kanë vështirësi në gjetjen e barnatoreve të hapura gjatë orëve të vona.

“Mendoj që ky është një vendim absurd, qysh me kufizu barnatoren që më së shumti ka nevojë në ditë të sodit populli me çfarë sëmundjesh po kaplohet”, ka deklaruar qytetari Vesel Veseli.

“Për sy të ballit unë jam çuditur kur e kanë bërë atë punë, ditën që e dëgjova në televizion. Me qenë tri-katër barnatore, po tri-katër barnatore në krejt Prishtinën, çka janë ato, nuk janë asgjë. Njerëzve për çdo ditë u duhen barnat, së pari më duhen mua, e jo edhe të tjerëve. Unë kisha bërë apel që të ketë më tepër”, ka shtuar qytetari tjetër, Hakif Mehmeti.

Drejtori Sadiku është shprehur se qëllimi është që të ketë shërbim 24 orë, e për numrin e barnatoreve kujdestare mund të rritet sipas kërkesës së farmacistëve dhe qytetarëve.

Rregullorja për ndryshimin e orareve të veprimit të barnatoreve të kryeqytetit u miratua më 4 shtator në Kuvendin Komunal, e zbatimi nisi më 23 tetor.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing