Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Vetëm 7 nga 608 aplikantët për inspektorë kaluan fazat testuese

Vendi  |  30.11.2023 Ora 7:42   

Inspektorati i Tregut do të vazhdojë të operojë me 15 inspektorë. MINT-i nuk ka arritur që as me konkurs të jashtëm t’i rekrutojë 27 inspektorët e synuar. Ani se për këtë pozitë kanë aplikuar 608 kandidatë, vetëm 7 prej tyre i kanë kaluar fazat testuese. Ky është dështimi i dytë pas konkursit të brendshëm që ishte mbyllur në prill e në të cilin aplikuan 90 nëpunës civilë. Asnjëri prej tyre nuk e kaloi testin.

Pas dështimit të konkursit të brendshëm, Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë nuk ka arritur që të plotësojë 27 pozitat e lira për inspektorë të tregut as me konkurs të jashtëm.

Ani se për inspektorë në këtë ministri kanë aplikuar 608 kandidatë, vetëm 7 prej tyre i kanë kaluar fazat testuese.

Nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë, që ka udhëhequr procedurat e rekrutimit, kanë bërë të ditur për KOHËN se fazën e verifikimit e kanë kaluar 116 kandidatë, të cilët i kanë plotësuar kriteret e konkursit, por që ata kanë dështuar në fazat tjera të testimit.

“Kjo procedurë aktualisht është në fazën e ankesave, ku kandidatët e pakënaqur ndaj procedurës apo rezultatit të konkurrimit pavarësisht nga faza me të cilën janë të pakënaqur, kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë ndaj aktit që e përfundon procedurën e konkurrimit në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMSHCK)”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Deri në vendosjen e Këshillit për Ankesa, Inspektorati i Tregut në MINT do të vazhdojë të operojë me vetëm 15 inspektorë dhe 10 ndihmësinspektorë nga komuniteti serb.

“Bazuar në fushëveprimtarinë e gjerë që ka Inspektorati i Tregut, pa dyshim që rritja e numrit te inspektorëve është e domosdoshme. Me një numër më të madh të inspektorëve Inspektorati do të kishte prezencë më të madhe në treg rrjedhimisht edhe mbikëqyrje më efektive të tregut”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Tregtisë.

Në MINT thonë se pavarësisht numrit të vogël të inspektorëve, është zhvilluar numër të madh i inspektimeve, ani se nuk kanë ofruar shifra se sa inspektime i kanë kryer gjatë vitit.

Inspektorët që veprojnë në kuadër të MINT-it janë përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve për tregtinë e brendshme, mbrojtjen e konsumatorit, tregtinë me produkte të naftës, sigurinë e përgjithshme të produkteve, punimet nga metalet e çmuara, turizmin, kontrollin e duhanit, produktet e ndërtimit etj.

E, numri i vogël i tyre ka bërë që një numër i ankesave të paraqitura nga konsumatorët të mbesin të pazgjidhura. Nga 2258 ankesa, 798 janë në proces.

KOHA ka raportuar për dështimin e konkursit të brendshëm në prill të këtij viti, megjithëse në të aplikuan rreth 90 nëpunës civilë.

Ani se 69 kandidatë i kaluan kriteret minimale, asnjëri nuk arriti të kalonte fazën e vetme testuese, atë të intervistimit me gojë.

Burime brenda këtij dikasteri thonë se dështimi i konkursit është bërë qëllimshëm që të hapet konkurs i jashtëm e me kritere më të ulëta sesa për të brendshmin.

Opozita e pati kritikuar Qeverinë për dështim të konkurseve dhe punësim të militantëve, për çka zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një mbledhje të Komisionit për Integrime Evropiane në maj, ka thënë se janë të lumtur që kanë aktivistë, të cilët janë edhe ekspertë.

“Nuk mendoj nëse është gabim që Besnik Bislimi emërohet në një ndërmarrje publike, sepse është makroekonomist. Nëse Bislimi emërohet vetëm se është militant politik e me shkollë të mesme, ky është problemi. Nëse kemi aktivistë që përmes konkurseve dëshmojnë se e meritojnë një vend të punës, ne do të jemi të lumtur, sepse në radhët tona kemi ekspertë”, ka thënë Bislimi.

Gjatë këtij viti në MINT ka dështuar edhe konkursi i brendshëm për udhëheqës të departamenteve, divizioneve e agjencive që veprojnë në kuadër të Ministrisë. Moszgjedhja e tyre ka ndikuar që këto pozita të udhëhiqen me zëvendësues, disa prej të cilave në kundërshtim me ligjin./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing