Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Bizneset presin t’i kenë “veç 6 muaj” të vështirë pas liberalizimit

Vendi  |  19.12.2023 Ora 8:59   

Pas dy javësh pritet të hyjë në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave. Ndonëse nuk nënkupton mundësinë e punësimit, përfaqësues të bizneseve thonë se gjeneratat e reja kanë tendenca për ikje nga vendi. Por, sipas tyre, largimi i fuqisë punëtore do të jetë vetëm në gjashtëmujorin e parë pas liberalizimit.

Pronarë të bizneseve private në vend konsiderojnë se do të ketë ikje të fuqisë punëtore, por vetëm në gjashtë muajt e parë pas liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. E liberalizimi do të futet në fuqi më 1 janar 2024.

Liberalizimi i vizave në asnjë rast nuk nënkupton mundësi punësimi apo ndonjë veprimtari ekonomike në shtetet e zonës Schengen, por pronarë të bizneseve vlerësojnë se do të ketë të atillë që do të tentojnë ta bëjnë këtë.

Sipas tyre, secili punëtor që lë punën do të kthehet në vend për ta kërkuar atë.

“Në mënyrë tinëzare secili, e sidomos gjenerata deri në 30-vjeçare. Këta vetëm po e presin liberalizimin dhe të shkojnë e të kërkojnë punë. Megjithatë mendimi im është dhe nga përvoja, se nuk do të ketë (largime v.j.) pas gjashtëmujorëshit të parë, nuk do të ketë ngecje të madhe të fuqisë punëtore”, ka thënë Brahim Selimaj, pronar i një kompanie ndërtimore.

Selimaj shprehet se migrimi do të ndalej vetëm nëse sektorët e arsimit dhe shëndetësisë do të ishin më cilësorë. Ai ka treguar përvoja me punëtorët e tij që e kanë lënë punën ndër vite.

“Nga kompania ime kanë shkuar disa punëtorë dhe kanë provuar me viza dhe pa viza, kanë provuar në të zezën të punojnë, por pas tre-katër muajve janë kthyer në folenë e vet”, ka deklaruar ai.

Përfaqësues të bizneseve kërkojnë po ashtu nga ekzekutivi që të hartojë projekte dhe planprograme për të rinjtë në mënyrë që të ndalet migrimi tyre.

Ndërkohë kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, ka theksuar se gjatë takimeve me pronarë të bizneseve është ngritur si shqetësim paralajmërimi i ikjes së punëtoreve. Por, siç ka thënë ai, brenga të njëjta ka pasur edhe para se të merrej vendimi për liberalizimin e vizave. Ai ka thënë se dy sektorë vuajnë më shumë se të gjithë nga mungesa e punëtorëve.

“Më e theksuar është te sektori i ndërtimtarisë edhe ai i gastronomisë. Këta janë dy sektorët ku më së shumti vërehet mungesa e fuqisë punëtore gjatë viteve të fundit, por edhe tani tendenca që është duke lëvizur, dihet se këtu dominon fuqia që është më pak e kualifikuar dhe ata kanë tendencë që për një pagë më të mirë të lëvizin prej Kosovës”, ka deklaruar Rafuna.

Edhe ai ka potencuar nevojën që Qeveria të krijojë strategji të ndryshme që stimulojnë sidomos gjeneratat e reja, në mënyrë që të shohin “të ardhmen brenda Kosovës”

Një raport i publikuar nga instituti “Riinvest” lidhur me sfidat aktuale dhe të ardhshme për tregun e punës, shpërfaq të dhëna shqetësuese lidhur me ikjen e punëtorëve.

Visar Vokrri, hulumtues në këtë organizatë, ka thënë se anketimi është bërë me 1200 biznese.

“Diku rreth 18% e punëtorëve në sektorin privat veç i kanë paralajmëruar punëdhënësit e tyre që në vitin e ardhshëm do të lënë punën dhe do të provojnë të migrojnë. Pra, po flasim për një shifër alarmante që me përkthy në terma absolut nën supozimin që i kemi diku rreth 300 mijë punëtorë të punësuar në sektorin privat në Kosovë, i bie që rreth 55 mijë të punësuar ta lënë Kosovën”, u shpreh Vokrri.

Ai ka shtuar, se gjatë vitit të kaluar në një anketë, mbi një e treta e të rinjve të moshës 16 deri në 25 vjet planifikojnë që në tre vjetët e ardhshëm të migrojnë.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, migrimi i kosovarëve është në rritje viteve të fundit, pos më 2020, kur udhëtimet u kufizuan shkaku i pandemisë COVD-19.

Nga janari i 2024-s qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në të gjitha shtetet e zonës Schengen, pos në Spanjë./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing