Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Detyrat matematikore për nxënësit e klasës së nëntë u jepen atyre të klasës së dytë

Vendi  |  11.04.2024 Ora 7:54   

Sipas raportit të rishikimit të teksteve shkollore, rezulton se disa nga librat e lëndës së matematikës kanë detyra që nuk përshtaten me moshën e nxënësve. Detyrat që janë për moshën e nxënësve në klasën e nëntë janë vendosur në librin për nxënësit  e klasës së dytë. Në raport është thënë se tekstet shkollore për lëndën e matematikës nuk zhvillojnë mendimin kritik te nxënësit

 
 Tekstet shkollore për lëndën e matematikës përmbajnë detyra që nuk janë të përshtatshme për moshën e nxënësve.
Në raportin e rishikimit të teksteve shkollore për lëndën e matematikës që është përpiluar në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian, KosEd, janë evidentuar përmbajtje që pengojnë procesin e mësimnxënies te nxënësit.
Në librin “Matematika 2” të një shtëpie botuese janë vendosur detyra që përkojnë për moshën e nxënësve të klasës së 9.
“Llojet e detyrave janë pjesërisht të përshtatshme për moshën e nxënësve, ka detyra që nuk përkojnë fare me moshën përkatëse. Njësia mësimore: Zbritja e numrave në shtylla, Zbatojmë, faqe 76, detyra 1, është i rëndë për grupmoshën në fjalë, sepse realisht paraqet sistem të ekuacioneve lineare me dy te panjohura, gjë që mësohet në klasë të nëntë”, thuhet në raport.
Në të njëjtin libër, në raport është theksuar se nxënësve u kërkohet të vizatojnë figura që nuk janë të njohura për ta.
“Njësia mësimore: Zbritja e shumës nga numri, faqe 119, rekomandojmë që të largohet detyra e fundit (e katërta me radhë) pasi që nuk përkon aspak me njësinë apo temën mësimore. Për më tepër nxënësit ende nuk janë njohur me nocionin e simetrisë, ndërkohë që kërkohet vizatimi dhe ngjyrosja e figurës simetrike”, thuhet në raport.
Edhe në librin e matematikës për klasën e pestë janë vërejtur detyra jo të përshtatshme për grupmoshën e nxënësve.

“Rezultati në Kurrikulë lëndore kërkon që nxënësi të përdorë kllapat e vogla dhe të mesme në zgjidhjen e problemeve matematikore, por janë disa veprime radhazi dhe janë paksa të vështira për nxënësit e kësaj moshe”, theksohet raport.
Në raport është theksuar se tekstet shkollore për lëndën e matematikës nuk zhvillojnë mendimin kritik te nxënësit. Detyrat në librin e matematikës për klasën e katërt, në raport janë vlerësuar se kanë karakter memorizues.

“Detyrat kanë pak mendim kritik, janë detyra memorizuese, nuk ka kuize, projekte, kërkime në internet. Gjithashtu nuk ka punë praktike, nuk ka punë grupore, nuk ka shembuj që kërkojnë materiale të ndryshme për t’i praktikuar detyrat. Qasja e propozuar e të mësuarit nuk i motivon mjaftueshëm nxënësit”, shkruan në raport.

Edhe librit i klasës së katërt nga një shtëpi botuese tjetër kritikohet për mosnxitje e të menduarit kritik.
“Detyrat dhe temat e paraqitura kanë nevojë të lidhen më shumë me rezultatet e kompetencës - mendimtar kreativ – sepse në të kundërtën zvogëlohet në masë të madhe aktiviteti i cili bazohet në: kërkim, reflektim, diskutim, paraqitje dhe ekspoze me fjalë nga ana e nxënësve si dhe nuk e rritë aftësinë e nxënësve për të mbrojtur idetë e veta përmes argumentimit logjik”, thuhet në raport.
Në to edhe janë paraqitur probleme përmbajtjesore. Disa detyra nuk përkojnë me rezultatin e ofruar nga autorët. “Shuma korrekte është 12 dhe jo 24”, shkruan në librin e matematikës të klasës dytë.

Edhe gabimet drejtshkrimore nuk mungojnë. E, autorët e ngatërrojnë kuptimin e fjalës “zgjidhje” me “zgjedhje”.

Për gabimet e theksuara në raport, në Ministri të Arsimit kanë thënë se ende nuk kanë filluar me përmirësimin e tyre.

“Për të gjitha ato tekste që ka rekomandime për përmirësim do të ndahen me shtëpitë botuese për përmirësim, ndërkaq për ato që mund të ketë probleme përmbajtjesore do të merren vendimet e duhura”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Në Ministri u zotuan se recensentët të cilët i kanë miratuar këto tekste do të ndëshkohen.

“E kemi thënë edhe më herët që do të jemi të pakompromis ndaj teksteve që nuk kanë cilësi e nuk do të ndalemi derisa të sigurohemi se kemi tekste cilësore. Sa u përket recensentëve, jo vetëm tash por edhe më herët, në rastet kur është identifikuar që nuk e kanë kryer punën si duhet, janë ndërmarrë masat e duhura dhe njëjtë do të veprohet edhe kësaj here”, është thënë tutje nga MASHTI.

Përveç teksteve të matematikës, janë rishikuar edhe ato të lëndës së gjuhës shqipe nga klasa e parë deri në të nëntën. KOHA ka raportuar javën e kaluar se disa nga tekstet e gjuhës shqipe kanë përmbajtje diskriminuese e bullizuese.

Botimi i teksteve të reja shkollore ka filluar në vitin 2019 me synimin që të eliminohen defektet në përmbajtje dhe drejtshkrim, si dhe të bëhet harmonizimi i tyre me kurrikulën. Sipas Ministrisë së Arsimit janë shpenzuar mbi 25 milionë euro për botimin e tyre./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing