Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Kosovës i shtohen 445 policë të rinj

Vendi  |  19.04.2024 Ora 7:50   

Policia e Kosovës që nga e enjtja numëron 445 anëtarë më shumë. Në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të gjeneratës së 59, presidentja Vjosa Osmani i porositi të porsadiplomuarit që në detyrën e re ata t’i kenë udhërrëfyes heronjtë dhe Kushtetutën.

 

Orkestra ua diktoi ritmin e hapave të marshimit 445 policëve të rinj, teksa ata hynë të enjten në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë për ceremoninë e betimit solemn. 

345 djem dhe 100 vajza që nga e enjtja i janë shtuar Forcës së Policisë së Kosovës. 

Në ceremoninë e diplomimit, krahas familjarëve dhe qytetarëve të shumtë, të pranishëm kanë qenë edhe udhëheqës të shtetit.

Presidentja Vjosa Osmani i ka përgëzuar pjesëtarët e rinj të policisë dhe i ka porositur ata që si shembull se si mbrohet vendi ta marrin rreshterin e Policisë, Afrim Bunjaku, i cili është vrarë gjatë sulmit terrorist të ndërmarrë nga një grup i armatosur i serbëve në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator. 

“Tani e tutje jeni në mbrojtje të secilit qytetar të Republikës sonë, pa dallim. Prandaj, në këtë punë e në këtë mision të rëndësishëm le të jenë heronjtë e Kosovës, përfshirë heroin Afrim Bunjaku, udhërrëfyes i juaj i përhershëm se si mbrohet shteti e si i dilet zot atdheut. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është  udhërrëfyese e juaja”, ka theksuar Osmani. 

Kryeministri Albin Kurti ka treguar se në mesin e policëve të rinj, 88 janë pjesëtarë të komuniteteve joshumicë.

“Te figura e policit janë të përbashkuara personifikimi i zbatimit të ligjit dhe i respektimit të rendit publik, si dhe vetë imazhi e autoriteti i shtetit dhe i shoqërisë përkatëse. Andaj, në strukturën e policisë së një shteti mund të lexohet edhe vetë struktura e shoqërisë dhe natyra e atij shteti”, ka thënë Kurti në ceremoninë e diplomimit të kadetëve policorë.

I pranishëm në këtë ceremoni, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e përçoi një mesazh për të rinjtë nga komunitetet joshumicë, teksa e ka përmendur ndalimin e policëve të Kosovës nga autoritetet e Serbisë. 

“Të dashur kadetë të policisë, veçanërisht ju nga komunitetet, Republika jonë është edhe e juaja, vendi ynë është i përbashkët dhe çdo ditë e punës sonë duhet dedikuar forcimit të tij”, ka thënë Sveçla.

Policët e rinj i ka uruar nëpërmjet një postimi në Facebook edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

“Republika jonë tashmë ka edhe 445 policë të rinj, në shërbim të mbrojtjes së sovranitetit, integritetit territorial dhe shërbimit profesional në mënyrë të paanshme dhe të ndershme. Në mesin e gjeneratës së 59-të të Policisë sonë, janë dhe 88 kadetë të rinj nga komunitetet jo shumicë, 7 nga ata nga komuniteti egjiptian të cilët janë të gatshëm ti shërbejnë shtetit dhe shoqërisë”, ka shkruar Krasniqi.
Kjo është gjenerata e 59 e kadetëve të Policisë së Kosovës./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing