Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Rrjetet sociale po vazhdojnë të jenë temë shqetësimi për prindërit, mësimdhënësit dhe profesionistët e shëndetit – dhe këtë e dëshmon edhe raporti i fundit nga Pew Research Center, që tregon se thuajse gjysma e adoleshentëve amerikanë besojnë se rrjetet sociale ndikojnë kryesisht negativisht te njerëzit e moshës së tyre.
Sipas këtij studimi, 48% e të rinjve të moshës 13-17 vjeç mendojnë se ndikimi i rrjeteve sociale është negativ, krahasuar me vetëm 32% që kishin të njëjtin mendim në vitin 2022. Ndërkohë, vetëm 11% e adoleshentëve sot besojnë se ndikimi është “kryesisht pozitiv”.
Përtej mendimeve, ka edhe përpjekje për të ndryshuar sjelljen: 44% e adoleshentëve thonë se kanë filluar të kufizojnë kohën që kalojnë në rrjete sociale apo në telefon. Vajzat janë pak më të prira për ta bërë këtë hap (48%) krahasuar me djemtë (40%).
Një djalosh që ka marrë pjesë në anketim është shprehur: “Përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale duket se është shkaku kryesor i depresionit në mesin e grupmoshës sime. Shumë lejojnë të ndikohen nga mendimet e njerëzve që as nuk i njohin.”
Ndërkohë, prindërit janë edhe më të shqetësuar se vetë adoleshentët: 89% e tyre janë të brengosur për shëndetin mendor të fëmijëve të tyre – dhe rrjetet sociale zënë vendin e parë si faktor me ndikim negativ.
Megjithatë, jo gjithçka është e errët. Gati 60% e adoleshentëve shohin rrjetet sociale si një hapësirë për të shprehur anën e tyre krijuese dhe për të mbajtur lidhjet me jetën sociale të miqve.
Studimi u realizua me 1,391 adoleshentë dhe prindërit e tyre gjatë muajve shtator dhe tetor 2024.