Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në prill 2025, shitjet e makinave Tesla në Bashkimin Europian pësuan një rënie drastike prej mbi 50%, sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Prodhuesve të Automobilave Europianë (ACEA). Në krahasim me prillin e vitit të kaluar, regjistrimet e reja të Tesla-s në BE ranë me 53%, ndërsa në të gjithë rajonin e gjerë europian – përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë dhe Zvicrën – rënia arriti në 49%.
Kjo është hera e katërt radhazi që Tesla shënon rënie në shitjet vjetore në Europë, ndërsa kompania përballet me dy sfida të mëdha: pakënaqësitë e konsumatorëve ndaj politikave të Elon Musk dhe rritjen e konkurrencës nga prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike. Në muajt e fundit, deklaratat dhe qëndrimet politike të Musk, duke përfshirë mbështetjen për kandidatët e ekstremit të djathtë në Gjermani dhe Britaninë e Madhe, si dhe rolin e tij në administratën e ish-presidentit amerikan Donald Trump, kanë shkaktuar reagime të forta në Europë.
Një tjetër goditje për Teslën është edhe fakti që kompania kineze BYD, për herë të parë, ka kaluar Teslën në shitjet mujore në Europë. Sipas të dhënave nga Jato Dynamics, BYD shiti 66 automjete elektrike më shumë se Tesla në prill, një diferencë e vogël në shifra, por me një domethënie të madhe për tregun europian të makinave elektrike.
Analistët e tregut e konsiderojnë këtë një moment kyç, pasi Tesla ka mbajtur për vite me radhë pozicionin e liderit të tregut të makinave elektrike në Europë, ndërsa BYD zyrtarisht ka nisur operacionet jashtë Norvegjisë dhe Holandës vetëm në fund të vitit 2022.
Ndërkohë, tregu i përgjithshëm i makinave elektrike në BE po shënon rritje – me mbi 26% më shumë shitje në katër muajt e parë të këtij viti – por kjo nuk ka qenë në favor të Teslës. Kompania nuk ofron të dhëna mujore për shitjet dhe nuk i ndan shitjet sipas tregjeve, ndërsa për momentin nuk ka dhënë asnjë koment mbi situatën.
Kujtojmë se më herët këtë vit, Tesla raportoi rënien e parë vjetore të shitjeve globale dhe humbjen më të madhe tremujore në historinë e saj, me të ardhurat neto që ranë me 71% në tremujorin e parë të vitit 2024.