
Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Shefi ekzekutiv i Amazon, Andy Jassy, ka paralajmëruar se përdorimi në rritje i inteligjencës artificiale (AI) pritet të sjellë një reduktim të ndjeshëm të fuqisë punëtore në pozitat korporative gjatë viteve të ardhshme.
Në një memo drejtuar stafit të martën, Jassy i inkurajoi punonjësit që të tregojnë kuriozitet dhe gatishmëri ndaj teknologjisë që po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si funksionon kompania.
"Do të na nevojiten më pak njerëz për disa nga punët që bëhen sot, ndërkohë që do të nevojiten më shumë njerëz për lloje të tjera punësh," tha ai, duke shtuar se efikasiteti i shtuar përmes përdorimit të AI do të ndikojë në uljen e numrit total të punonjësve në pozita zyre.
Amazon është kompania më e fundit në sektorin teknologjik që publikon një strategji të qartë për integrimin e AI në operacionet e saj, mes shqetësimeve globale se kjo teknologji do të shkaktojë humbje masive të vendeve të punës, veçanërisht në pozitat fillestare të zyrave.
Sipas Jassy, AI tashmë po përdoret në "çdo cep të kompanisë", dhe në të ardhmen pritet të kryejë detyra të zakonshme të përditshme si blerje apo shërbime rutinë.
"Shumë nga këta agjentë digjitalë ende nuk janë krijuar, por mos kini dyshim – ata po vijnë dhe po vijnë shpejt," shkroi ai.
Ai gjithashtu theksoi se punonjësit që përqafojnë këtë transformim do të jenë më të përgatitur për të ecur përpara në karrierën e tyre brenda kompanisë.
Rreth 500,000 shitës në platformën e Amazon tashmë po përdorin mjete të AI të kompanisë për të gjeneruar përshkrime produktesh, ndërsa reklamuesit gjithashtu po adoptojnë teknologjitë e reja.
Drejtues të tjerë të teknologjisë kanë paralajmëruar për ndikimin e thellë të AI në vendet e punës. CEO i kompanisë së AI Anthropic, Dario Amodei, deklaroi muajin e kaluar se teknologjia mund të zhdukë gjysmën e vendeve të punës të nivelit fillestar në zyrë.
Ndërkohë, Geoffrey Hinton, i quajtur “babai i AI-së”, i cilësoi këto ndryshime si shumë më të thella sesa valët e mëparshme të teknologjisë:
“Nëse kjo teknologji mund të bëjë çdo punë intelektuale të zakonshme që bën njeriu, atëherë cilat do jenë punët e reja që do të krijohen?” tha Hinton në një podcast të fundit.
Në fund të vitit të kaluar, Amazon kishte mbi 1.5 milion punonjës në mbarë botën, shumica prej tyre në SHBA, ku renditet si punëdhënësi i dytë më i madh pas Walmart. Rreth 350,000 prej tyre janë të punësuar në pozita zyrtare jashtë rrjetit të magazinave të e-commerce.
Ndërsa transformimi përmes AI po përshpejtohet, duket se Amazon është i vendosur të shkojë përpara me automatizimin, edhe nëse kjo do të thotë më pak vende pune për njerëzit në sektorin administrativ.