Legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard, ka deklaruar se është i gatshëm të ndihmojë klubin nëse situata me trajnerin aktual Arne Slot do të përkeqësohej.
Slot e udhëhoqi Liverpoolin drejt titullit kampion sezonin e kaluar, por në fund të shtatorit skuadra hyri në një krizë rezultatesh, duke rënë deri në vendin e 12-të në Ligën Premier dhe duke pësuar një humbje zhgënjyese në “Anfield” ndaj PSV-së në Ligën e Kampionëve, çka rriti ndjeshëm presionin mbi trajnerin holandez.
Megjithatë, Liverpool ka reaguar në javët e fundit, duke mbetur i pamposhtur në gjashtë ndeshjet e fundit dhe duke regjistruar tri fitore radhazi. Aktualisht, “Reds” renditen në vendin e pestë në kampionat, dhjetë pikë pas liderëve të Arsenalit.
Duke folur për TNT Sports, Gerrard (45) theksoi se nuk dëshiron largimin e Slot, por la të kuptohet se do të ishte gati të rikthehej nëse klubi do ta kishte nevojë.
“Nuk dua që Arne Slot të shkarkohet. Dua që ai ta stabilizojë situatën dhe ta rikthejë Liverpoolin aty ku i takon. Por do të jem brutalisht i sinqertë: do të hidhesha për të ndihmuar Liverpoolin në çdo mënyrë dhe në çdo kohë”, u shpreh Gerrard.