Prodhuesi gjerman Audi po zhvillon një limuzinë të re elektrike për tregun kinez, si pjesë e bashkëpunimit të ri me kompaninë SAIC Motor.
Nën markën e re “AUDI”, e krijuar në vitin 2024 si një entitet i veçantë për automjete elektrike, kompania ka nisur zgjerimin e gamës së saj me modele të reja të dedikuara ekskluzivisht Kinës.
Pas lansimit të modelit E5 Sportback dhe SUV-it E7X, në vitin 2027 pritet të prezantohet edhe një limuzinë luksoze, e cila do të mbajë vetëm emrin “AUDI” pa logon tradicionale me katër unaza.
Modeli i ri përshkruhet si një “limuzinë sportive për segmentin e lartë” dhe do të zhvillohet në kohë rekord prej rreth dy vitesh, duke reflektuar ritmin e shpejtë të industrisë automobilistike kineze.
Sipas kompanisë, ky projekt synon të tërheqë klientët e pasur në Kinë, një treg ku limuzinat tradicionale mbeten ende shumë të kërkuara.