Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Jasharaj: Vendimi i Ministrisë për tekstet shkollore i tmerrshëm, Qeveria nuk duhet të kursejë për arsim

Vendi  |  22.08.2023 Ora 8:23   

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se hedhja e përgjegjësisë nga Ministria e Arsimit te prindërit për blerje të teksteve të nxënësve është e tmerrshme.

Ai në një intervistë për KTV-në ka thënë se përzgjedhja dhe kontraktimi i teksteve shkollore do të duhej të përfundonte në qershor e ato të shpërndaheshin në fillim të muajit.

“Të gjitha këto lojëra nuk janë të mira në arsim dhe mendoj që tekstet duhet të jenë të ndara, ky tekst për këtë lëndë, ai për atë lëndë, do të duhej të kontraktoheshin qysh në qershor dhe në fillim të gushtit t’i kishim pasur tekstet për t’i shpërndarë, ngase Qeveria nuk duhet të kursejë për arsim, sepse shpenzimet në arsim nuk janë shpenzime, por janë investime për të ardhmen”, ka theksuar Jasharaj.

“Ministria në ditët e fundit, për shkak të mospunës, mosangazhimit me kohë për problemet që i kanë brenda, dolën me një lajm të keq se tani as nuk do të shpërndajnë tekste ... dhe ua la shtëpive botuese t’i dërgojnë tekstet nëpër librari e pastaj prindërit t’i blejnë librat, me premtimin se gjoja do të rimburësohen”, është shprehur Jasharaj.

Ky sipas tij është vendim i gabuar dhe që godet familjet e varfëra. Sipas tij për një nxënës vetëm librat do të kushtojnë rreth 70 euro.

“Çfarë do të kemi në fillimin e vitit shkollor, do të kemi nxënës në klasa pa tekste shkollore dhe çka është më keq, një pjesë e prindërve ndoshta do të kenë mundësi t’i blejnë tekstet, e fëmijët e tjerë do të rrinë kokulur sepse prindërit e tyre nuk kanë pasur mundësi t’ua blejnë”, ka theksuar Jasharaj.

Jasharaj ka paralajmëruar se çmimet e librave nëpër librari mund të jenë edhe më të larta sesa që do të mund t’i blinte Ministria me shumicë.

Ai ka thënë se Ministria do të duhej që të përcaktonte se cilat libra do të duhej të përzgjidheshin për secilën lëndë.

“Ideja që te kemi tekste alternative, që t’u lihet mësimdhënësve ose kujtdo tjetër përgjegjësia ose përzgjedhja e teksteve nuk është e qëlluar. Mendoj që Ministria do të duhej me kohë që të ngriste një grup ekspertësh që të përzgjidhnin aktorët dhe librat për lëndë të caktuar”, ka theksuar Jasharaj.

Jasharaj: Kurti e Nagavci s’duan të na takojnë, po të na takonin vitin e kaluar greva s’do të mbahej

Jasharaj ka folur edhe sa i përket bashkëpunimit me Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit.

“Me kryeministrin Kurti nuk kemi fare takime e as nuk pretendojmë të kemi sepse ai është deklaruar se e takon kryetarin e BSPK-së dhe le të takohen, por është parë që ato takime nuk kanë dhënë asnjë rezultat”, ka deklaruar Jasharaj.

Ndërsa për ministren Arbërie Nagavci ka thënë se ajo nuk do t’i takojë përfaqësuesit sindikalë.

“Sa i përket marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit, para grevës kemi pasur bashkëpunim të sinqertë dhe korrekt, greva ka ndodhur dhe si duket inatet i mban ende zonja Nagavci sepse greva e përfshiu tërë sistemin arsimor, dhe ajo si hakmarrje pastaj, ne kemi dërguar dy ftesa për takim me të dhe kabineti i saj është munduar që ta arsyetojë se ka shumë angazhime takimet nuk janë mbajtur”, ka theksuar Jasharaj.

Jasharaj: Disa mësimdhënës po kërkojnë pushim pa pagesë, po ikin nga Kosova

Jasharaj ka folur edhe për largimin e mësimdhënëseve nga Kosova. “Në Kosovë edhe në sistemin e arsimit, ashtu sikurse në Polici që po ka lëshim të punës nga policët, kjo dukuri ka filluar të paraqitet edhe tek ne në arsim, një pjesë e mësimdhënësve, jo në numër të madh kanë filluar të kërkojnë pushim pa pagesë për një vit në drejtoritë arsimore, unë kam frikë që këtë po e bëjnë për të shkuar jashtë, dhe nëse rehatohen atje, këtë njerëz më nuk do t’i kthehen sistemit arsimor, këtë e bëjnë se janë të zhgënjyer, këtë e bëjnë se janë vazhdimisht në presion, këtë e bëjnë se figura e mësuesit është fyer e sharë publikisht”, ka thekuar Jasharaj.

Sipas tij mësimdhënësit janë fyer me termat se “po prodhojnë analfabetë funksionalë” e se edhe “mësimdhënësit janë analfabetë funksionalë”.

“Me tërë këtë presion dhe këto paga nuk është e habitshme që edhe mësimdhënësit të largohen nga Kosova e që pastaj Kosova të përballet me mungesë të kuadrit arsimor”, ka deklaruar Jasharaj.

Jasharaj shpreson të ketë përmirësime në testin PISA, por s’është shumë entuziast

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, shpreson që të ketë përmirësime sa i përket testit PISA, porse nuk është shumë entuziast.

Për këtë Jasharaj ka përmendur kushtet jo të mira të shkollave.

“Mësimdhënësit e Kosovës zhvillojnë betejën me shkumës e shpuzë, e tekste shkollore. Nuk ka risi në shkolla, nuk ka buxhet që shkollat t’i ngjasojnë shkollave të shekullit XXI. Ka raste kur vazhdon mësimi mekanik. Mësohen nocionet, nxënësi i di të gjitha ato, por fatkeqësisht s’janë mundësitë brenda shkollës që ta vë në praktikë atë dije”, ka thënë Jasharaj në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai po ashtu ka shtuar se ka mungesë të inspektorëve, pasi po të kishte inspektorë mjaftueshëm do t’i ndihmonin mësimdhënësit të përmirësoheshin.

Jasharaj ka thënë se është gabim të fajësohen vetëm mësimdhënësit për rezultatet jo të mira në PISA dhe se duhet të bëhet një takim i përgjithshëm për të shikuar se çfarë nuk po shkon.

Sa i përket raportimeve për mosparaqitje të mësimdhënësve në shkollë nga 15 gushti, Jasharaj ka thënë se shkolla e bën planin organizativ, dhe se nuk ka asnjë logjikë të obligohen mësimdhënësit të dalin në shkollë e të kthehen kot. Porse nga kjo javë ai ka thënë se shumica e mësimdhënësve do të jenë në shkolla.

Jasharaj ka thënë se shumica e mësimdhënësve në Kosovë janë të mllefosur e të pakënaqur me kushtet. Ai ka thënë se shumica e tyre angazhohen maksimalisht, porse do të bënin punën më me kënaqësi e do të ishin më të lumtur me profesionin që e kanë zgjedhur, nëse shteti do t’i mbështeste, do t’u krijonte kushte për të punuar./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing